Rezultati i zgjedhjeve nuk do të ndikojë në funksionimin e koalicionit qeveritar, i cili vazhdon të mbetet i bazuar në programin e përbashkët qeveritar. VLEN-i e humbi mundësinë për të treguar se dallon nga BDI-ja dhe, në vend që të distancohej nga retorika etnike, zgjodhi të vepronte në mënyrë të kundërt. Kështu deklaroi kryetarja e Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, në një intervistë për TV 24.
“Ne zhvilluam një fushatë jashtëzakonisht pozitive dhe bashkuese. Dolëm me program dhe ky është parimi mbi të cilin punojmë dhe kërkojmë besimin e qytetarëve. ‘Një Bërvenicë për të gjithë’ për ne do të mbetet më shumë se një slogan, është një koncept mbi të cilin do të vazhdojmë të punojmë edhe si Qeveri, duke e mbështetur komunën me projekte”, theksoi Miteva.
Ajo shtoi se VMRO-DPMNE nuk ka zhvilluar politikë kalkuluese.
“VLEN-i doli me kandidat të vetin që në raundin e parë. Nëse pyetja është nëse kjo reflektohet në ndonjë mënyrë në koalicionin brenda Qeverisë, përgjigjja ime është jo, sepse ky koalicion qeveritar bazohet në programin e përbashkët dhe institucionet duhet të vazhdojnë zbatimin e tij. VLEN-i pati mundësinë të tregonte se është ndryshe nga BDI-ja, të largohej nga retorika etnike dhe të paraqitej në një dritë tjetër, por e humbi këtë mundësi dhe vendosi të veprojë në të kundërtën”, tha Miteva.
Ajo përshëndeti vullnetin e qytetarëve, por shtoi se gjatë zgjedhjeve u panë edhe aeroplanë të mbushur me njerëz që kishin ardhur për të votuar.
“Nuk mund të luftojmë kundër demografisë. Ne mbetemi të përkushtuar dhe jam e sigurt për atë që kemi thënë: se me kandidatin tonë, Stojanço Radiçevskin, komuna e Bërvenicës do të kishte pasur vërtet zhvillim”, përfundoi Miteva.


