UEFA Women’s Nations League/ Kombëtarja e vajzave njeh nesër kundërshtaret, pjesë e Ligës B

Kombëtarja shqiptare e vajzave do të mësojë nesër ekipet kundërshtare me të cilat do të përballet në edicionin e ardhshëm të UEFA Women’s Nations League 2027. Shorti do të hidhet të martën, më 3 nëntor, në orën 13:00, në UEFA, duke përcaktuar grupet për secilën prej tri ligave të kompeticionit.

Shqipëria është pozicionuar në Ligën B, ku bëjnë pjesë 16 skuadra të ndara në katër vazo. Kombëtarja shqiptare ndodhet në vazon e tretë, së bashku me Irlandën e Veriut, Hungarinë dhe Greqinë.

Në Ligën B marrin pjesë gjithashtu Sllovenia, Polonia, Serbia dhe Ukraina në vazon e parë, Finlanda, Belgjika, Turqia dhe Çekia në vazon e dytë, ndërsa Rumania, Bjellorusia, Kosova dhe Lituania janë pjesë e vazos së katërt.

Sipas formatit të përcaktuar nga UEFA, 54 kombëtaret pjesëmarrëse janë ndarë në tri liga, në bazë të renditjes përfundimtare të kualifikueseve të Kampionatit Europian 2026 për vajza. Liga A dhe Liga B përbëhen nga katër grupe me nga katër skuadra, ndërsa Liga C ka gjashtë grupe, katër me nga katër skuadra dhe dy me nga tri skuadra.

Shorti do të nisë me Ligën C, do të vijojë me Ligën B dhe do të përfundojë me Ligën A.

Për Kombëtaren shqiptare të vajzave, shorti i nesërm do të përcaktojë kundërshtaret dhe rrugëtimin në edicionin e ri të UEFA Women’s Nations League 2027.