Sveçla nuk jep dorëheqje pas vrasjes së Arlindës: Nuk mendoj se do të ndihmonte në fuqizimin e grave

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se nuk mendon se dorëheqja e tij apo e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, do të kontribuonte në fuqizimin e grave dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Duke folur për kërkesat e protestuesve për dorëheqje, ministri Sveçla tha se e kupton indinjatën e tyre, por theksoi se institucionet janë të angazhuara në përmbushjen e detyrave për parandalimin e rasteve të tilla.

“Tash, unë nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas në mbrojtjen e të drejtave të saj, meqenëse ne jemi të angazhuar 100 për qind në përmbushjen e detyrave tona në këtë pikë”, deklaroi Sveçla.

Ai tha se personalisht është në anën e protestuesve dhe se i kupton kërkesat e tyre.

“Unë personalisht jam bashkë me protestuesit, kuptoj edhe indinjatën e protestuesve dhe po punojmë, si institucione, që të plotësojmë të gjitha ato kërkesa të cilat kërkohen sipas ligjit, në mënyrë që të parandalojmë përsëritjen e rasteve të këtilla”, u shpreh ministri.

Sveçla shtoi se institucionet po i shqyrtojnë edhe raportimet dhe kërkesat e Inspektoratit Policor drejtuar Policisë së Kosovës dhe stacioneve policore, me qëllim që neglizhenca apo mangësitë eventuale të adresohen dhe praktikat të përmirësohen.