Universiteti i Tetovës dhe Instituti për Standardizim i RMV-së nënshkruan Memorandum bashkëpunimi

Universiteti i Tetovës dhe Instituti për Standardizim i Republikës së Maqedonisë së Veriut
nënshkruan Memorandum bashkëpunimi, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional
dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin e veprimtarive arsimore, shkencore-kërkimore dhe
profesionale.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe
Drejtori i Institutit për Standardizim, z. Gazmend Aliu.
Në këtë takim, Rektori shoqërohej nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr.
Salajdin Salihu, dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi, dhe dekani i
Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Gafur Xhabiri. Ndërkaq, nga
Instituti për Standardizim morën pjesë edhe Dr. Sonja Cerepnalkovska, Vilijam Hristovski, Goran
Pletvarski, Maja Koliç dhe Faton Mustafi.
Ky bashkëpunim synon të krijojë një lidhje më të ngushtë ndërmjet komunitetit akademik dhe
institucioneve profesionale, duke nxitur shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe ekspertizës në
fushën e standardizimit, menaxhimit të cilësisë, inovacionit dhe zbatimit të standardeve evropiane
dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të marrëveshjes parashikohet realizimi i projekteve të përbashkëta shkencore-kërkimore,
organizimi i konferencave, ligjëratave, seminareve dhe trajnimeve profesionale, si dhe përfshirja e
ekspertëve të Institutit në aktivitete të ndryshme akademike.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe krijimit të mundësive për praktikë studentore, përmes së
cilës studentët do të kenë mundësi të njihen nga afër me proceset e standardizimit dhe zbatimin
praktik të standardeve, duke avancuar kompetencat e tyre profesionale dhe përgatitjen për tregun e
punës.