Ndryshimi i mënyrës së pagesës së pagave në Maqedoninë e Veriut dhe kalimi në sistemin e pagesës sipas orëve të punuara po shqyrtohet nga sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve, përcjell TV21. Sipas tyre, kjo nismë mund të ndikojë në organizimin e punës, produktivitetin dhe zhvillimin ekonomik, por kërkon analiza të hollësishme dhe ndryshime të mundshme ligjore.
Konfederata e Sindikatave të Lira vlerëson se pagesa për orë pune mund të sjellë përfitime si për punëtorët, ashtu edhe për punëdhënësit. Sipas tyre, ky sistem do t’u mundësonte punëtorëve të dinë saktësisht sa orë punojnë dhe sa paguhen për çdo orë, ndërsa punëdhënësve do t’u ofronte më shumë parashikueshmëri dhe mundësi për të luftuar ekonominë gri.
Nga Organizata e Punëdhënësve theksojnë se fillimisht duhet të analizohet nëse proceset e punës, veçanërisht në sektorin e prodhimit, mundësojnë zbatimin e këtij sistemi. Sipas tyre, nevojitet shqyrtimi i mënyrës së llogaritjes së pagave, ndryshimeve ligjore dhe organizimit institucional.
Ndërkohë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë insiston se prioritet duhet të jetë rritja e pagave, duke filluar nga paga minimale, si dhe parandalimi i shfrytëzimit të punëtorëve. Sipas përllogaritjeve të tyre, nëse zbatohet sistemi i ri, pagesa për një orë pune për punëtorët me pagë minimale do të ishte rreth 155 denarë, shumë që ata e konsiderojnë të pamjaftueshme. Sindikata kërkon që pagesa për orë të jetë të paktën 250 denarë.
Edhe Unioni i Odave Ekonomike është shprehur për nevojën e ndryshimeve, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se është e hapur për diskutime dhe analiza krahasuese të këtij modeli me praktikat në vendet evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


