Kushtetuesja e Speciales nuk gjen shkelje të së drejtës në gjykimin e Pjetër Shalës

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të të drejtave themelore të Pjetër Shalës në procesin penal ndaj tij, ndonëse në aktgjykimin e plotë ka rikujtuar se një deklaratë e dhënë nga ai në Belgjikë më 2016 ishte marrë në shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Aktgjykimi u nxor më 23.10. 2026, ndërsa njoftimi për shtyp u publikua më 26.10.2026. Në të, Dhoma shpalli të papranueshme disa pjesë të ankesës së Shalës, ndërsa për pjesën tjetër konstatoi se nuk kishte pasur shkelje të Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut apo Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.

Shala kishte ngritur pretendime lidhur me kohën e kaluar nga kryerja e veprave penale deri në gjykim, përdorimin e deklaratave të dhëna më herët, përmbajtjen e aktakuzës, ligjshmërinë e veprave penale për të cilat ishte dënuar dhe përcaktimin e dënimit.

Dhoma vlerësoi se procesi gjyqësor kishte qenë i drejtë dhe joarbitrar.

“Për pjesën tjetër, ajo konstatoi se z. Shala kishte përfituar nga një proces gjyqësor ballafaques dhe se procesi, si i tërë, kishte qenë i drejtë dhe joarbitrar”- thuhet në njoftim.

Një prej çështjeve të trajtuara në aktgjykimin e plotë ishte ankesa e Shalës për pranimin dhe përdorimin në gjykim të deklaratave që ai kishte dhënë para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës.

Në veçanti, Shala kishte kundërshtuar përdorimin e një deklarate të dhënë në Belgjikë më 2016, kur ishte marrë në pyetje si i dyshuar pa pasur mundësi të ushtronte të drejtën për ndihmë juridike.

Sa i përket kësaj deklarate të dhënë në Belgjikë, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese rikujtoi se paneli i Apelit kishte konstatuar se ajo ishte marrë në shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, pasi Pjetër Shala nuk ishte informuar për të drejtën e tij për ndihmë juridike gjatë marrjes në pyetje nga policia.

“Paneli i Apelit konstatoi se deklarata e vitit 2016 e dhënë në Belgjikë ishte marrë në shkelje të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, sipas Rregullës 138(2) të Rregullores, pasi kërkuesi nuk ishte informuar për të drejtën për ndihmë juridike gjatë marrjes në pyetje nga policia, e cila e drejtë nuk i ishte vënë në dispozicion dhe, për rrjedhojë, ai nuk kishte mundur të hiqte dorë në mënyrë të vlefshme prej saj”- shkruan në aktgjykim.

Megjithatë, paneli i Apelit e kishte konfirmuar vendimin për ta konsideruar deklaratën “jo të papranueshme”, pasi nuk kishte gjetur tregues se ajo ishte e pabesueshme ose se kishte cenuar procesin gjyqësor. Dhoma Kushtetuese theksoi se pranimi i një prove të marrë në shkelje të të drejtave të mbrojtjes nuk e bën automatikisht të padrejtë të gjithë procesin.

“Në parim, pranimi dhe përdorimi i provave të marra në shkelje të të drejtave të mbrojtjes, siç është e drejta për qasje te avokati, nuk e bën automatikisht procesin gjyqësor të padrejtë. Këto garanci nuk janë qëllim në vetvete, por aspekte të veçanta të së drejtës për gjykim të drejtë, qëllimi thelbësor i së cilës është të sigurojë drejtësinë e procedurave penale në tërësi”- shkruan në aktgjykim.

Dhoma vlerësoi se Shala kishte pasur disa mundësi për ta kundërshtuar pranimin e deklaratës si provë dhe se kundërshtimet e tij ishin trajtuar nga panelet penale, të cilat kishin shpjeguar arsyet e vendimeve të tyre. Sipas Dhomës, Shala nuk kishte paraqitur argumente që do të tregonin se këto vendime ishin arbitrare ose dukshëm të paarsyeshme.

Pas shqyrtimit të aktgjykimit të shkallës së parë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se deklarata e vitit 2016 nuk ishte përdorur për asnjë prej gjetjeve të trupit gjykues dhe nuk kishte ndikuar në shpalljen fajtor të Shalës. Sipas aktgjykimit, dënimi i tij ishte mbështetur në një numër të konsiderueshëm provash.

“Një shqyrtim i kujdesshëm i aktgjykimit tregon se trupi gjykues nuk u mbështet në deklaratën e vitit 2016 të dhënë në Belgjikë për asnjë prej gjetjeve të tij. Prandaj, ajo nuk pati ndikim në shpalljen fajtor të kërkuesit, e cila […] ishte mbështetur në një numër të konsiderueshëm provash”- shkruan tutje.

Sa u përket deklaratave të tjera, të dhëna para Tribunalit të Hagës më 2005 dhe 2007, Dhoma vlerësoi se Shala kishte pasur mundësi t’i kundërshtonte ato dhe përdorimin e tyre gjatë procesit.

“Dhoma konstatoi se zotit Shala i ishin dhënë mundësi të shumta për të kundërshtuar deklaratat dhe përdorimin e tyre, dhe se kundërshtimet e tij ishin trajtuar siç duhet nga panelet penale”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Dhoma theksoi gjithashtu se deklaratat e vitit 2005 dhe 2007 nuk kishin qenë vendimtare për shpalljen fajtor të Shalës.

Shala kishte pretenduar se koha e gjatë ndërmjet veprave penale të përfshira në aktakuzë dhe gjykimit kishte dëmtuar të drejtën e tij për gjykim të drejtë, pasi sipas tij, disa prova ishin humbur ose ishin përkeqësuar, duke vështirësuar përgatitjen e mbrojtjes.

Aktgjykimi i plotë sqaron se disa pjesë të këtyre pretendimeve u shpallën të papranueshme, pasi Shala nuk i kishte paraqitur më herët para panelit të Gjykatës Supreme, megjithëse kishte pasur mundësi ta bënte këtë.

Për pretendimin e mbetur, që lidhej me humbjen ose përkeqësimin e provave për mbrojtjen, Dhoma nuk gjeti bazë për të konstatuar se procesi gjyqësor kishte qenë i padrejtë.

Shala kishte kundërshtuar edhe përmbajtjen e aktakuzës, duke pretenduar se nuk ishin dhënë hollësi të mjaftueshme për identitetin e anëtarëve të ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe për numrin e identitetin e viktimave.

Dhoma vlerësoi se aktakuza përmbante informacion të mjaftueshëm që Shala t’i kuptonte akuzat dhe të përgatiste mbrojtjen. Ajo mori parasysh edhe faktin se Shala ishte njoftuar për hollësi të mëtejshme lidhur me viktimat para fillimit të gjykimit.

Sipas njoftimit, thuhet se Dhoma konstatoi se “në akuza jepej informacion i mjaftueshëm që i mundësonte z. Shala t’i kuptonte ato dhe të përgatiste mbrojtjen e tij”.

Një pjesë tjetër e ankesës kishte të bënte me parimin e ligjshmërisë.

Shala kishte kundërshtuar përdorimin e ndërmarrjes kriminale të përbashkët si formë të përgjegjësisë penale, si dhe cilësimin e ndalimit arbitrar si krim lufte në një konflikt të armatosur jondërkombëtar.

Dhoma shqyrtoi nëse këto vepra dhe forma të përgjegjësisë kishin pasur bazë të mjaftueshme në të drejtën ndërkombëtare në kohën kur pretendohet se ishin kryer krimet.

Për ndërmarrjen kriminale të përbashkët, Dhoma konstatoi se forma bazë e saj njihej nga e drejta zakonore ndërkombëtare në kohën përkatëse. Për ndalimin arbitrar, ajo vlerësoi se ekzistonte një bazë mjaftueshëm e qartë në të drejtën zakonore ndërkombëtare.

Sipas aktgjykimit, burimet ligjore përkatëse ishin të disponueshme shumë kohë para kryerjes së krimeve dhe ishte e parashikueshme që Shala mund të mbahej penalisht përgjegjës mbi këto baza.

“Për këto arsye, Dhoma konstatoi se nuk kishte pasur shkelje të parimit të ligjshmërisë”- shkruan tutje.

Shala kishte kundërshtuar gjithashtu bazën ligjore të përdorur për përcaktimin e dënimit, duke pretenduar se duhej të zbatoheshin ligje të tjera të Kosovës, si dhe se dënimi i shqiptuar shkelte parimin e barazisë para ligjit dhe ishte joproporcional në krahasim me raste të ngjashme.

Dhoma shpalli të papranueshme pretendimet lidhur me barazinë para ligjit dhe proporcionalitetin e dënimit, për shkak se Shala nuk i kishte shteruar mjetet juridike në dispozicion.

Sa i përket ligjit të zbatueshëm për dënimet, Dhoma rikujtoi se Dhomat e Specializuara funksionojnë brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës, por në bazë të kornizës së tyre ligjore.

Sipas njoftimit, ligji i vetëm detyrues për përcaktimin e dënimeve në Dhomat e Specializuara është Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas Dhomës, panelet penale nuk janë të detyruara të zbatojnë ligje të tjera të Kosovës kur shqiptojnë dënime për krime ndërkombëtare, por duhet t’i marrin ato parasysh.

Avokati Drin Grazhdani në një intervistë për Kallxo.com pati thënë se Pjetër Shala, kishte deklaruar se Pjetër Shala ka paraqitur një aplikim në Strasburg kundër shteteve evropiane që janë anëtare të Këshillit të Evropës.

“Pjetër Shala e ka ngritur rastin në Strasburg kundër shteteve evropiane që janë anëtare të KiE-së, jo kundër Kosovës, sepse Kosova nuk është palë në Konventë. Aplikimi është vetëm i regjistruar dhe ende në pritje. Gjykata ende nuk ka vendosur nëse do ta shqyrtojë. Në këtë rast Gjykata mund të detyrojë shtetet anëtare, por kjo do të ishte diçka e jashtëzakonshme”- pati thënë Grazhdani.

Pjetër Shalës, i njohur si Komandant “Ujku”, i cili akuzohej nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara, i është ulur dënimi nga Gjykata e Apelit nga 18 në 13 vjet dënim me burgim unik.

Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara e kishte dënuar më 16.07.2024 me 18 vjet dënim me burgim Shalën për “ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje në Kukës”, në një Fabrikë metali, për të cilën Aktakuza pretendon se u përdor nga UÇK-ja si Qendër Paraburgimi.

Gjykata me rastin e shpalljes së aktgjykimit kishte theksuar se Pika e Aktakuzës së trajtimit mizor ishte mbuluar me akuzën për torturë.

Sipas ZPS-së krimet u kryen përafërsisht midis 17.05.1999 dhe 05.06.1999, kundër personave të ndaluar, e viktimat ishin civilë të cilët nuk merrnin pjesë në konfliktin e armatosur në Kosovë në atë kohë.

Sipas aktakuzës viktimat e këtyre krimeve ishin persona të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë, ose për mspërkrahje të UÇK-së.

Në aktakuzë thuhet se të arrestuarit në Fabrikën e metaleve janë sulmuar në mënyrë rutinore fizikisht, duke përfshirë rrahjet me instrumente të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht; duke përfshirë kërcënimin me vdekje, poshtërimin, ngacmimin, marrjen në pyetje, si dhe deklaratat dhe rrëfimet e detyruara.

Shala nuk e kishte pranuar fajësinë para kësaj Gjykate – duke theksuar se ka luftuar për lirinë e vendit.

“Dëshiroj t’ju falënderoj. Unë e respektoj Drejtësinë dhe nuk i iki. Asnjëherë në jetën time s’e kam bërë atë që më është ngarkuar me Aktakuzë. Kurrë asnjëherë! Këto janë të panjohura për mua. Unë kam qenë vetëm një luftëtar që kam luftuar për lirinë e vendit tim – asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Unë kam luftuar kundër një makinerie, kundër një regjimi luftarak të Millosheviqit” – kishte thënë Shala.