Në Universitetin e Tetovës filluan punimet e Javës së Veçantë Studimore 2026

Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me Qendrën Maqedonase për
Edukim Qytetar, sot i nisi punimet e Javës së Veçantë Studimore 2026, e cila do të mbahet nga 26
deri më 30 tetor 2026, me temën “Inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi në arsim – Mundësi, sfida
dhe praktika inovative”. Kjo veprimtari tradicionale e Fakultetit Pedagogjik, e cila organizohet për
të gjashtin vit radhazi, këtë vit i kushtohet rolit transformues të inteligjencës artificiale dhe
teknologjive digjitale në procesin edukativo-arsimor.
Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, theksoi se
inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën se si kërkojmë informacion, punojmë dhe mësojmë.
Sipas tij, krahas mundësive të shumta që ofron kjo teknologji, ajo shtron edhe disa pyetje
thelbësore: Çfarë do të thotë të kuptosh vërtet? Si mund ta kultivojmë mendimin e pavarur? Si
mund ta vlerësojmë dijen, kur një përgjigje e rrjedhshme dhe bindëse mund të prodhohet brenda pak
sekondash? “Në themel të këtij procesi mbetet marrëdhënia njerëzore. Një mësues që e dëgjon
nxënësin, e inkurajon të shtrojë pyetje dhe i jep besim në aftësitë e veta, lë gjurmë që shkojnë përtej
një ore mësimore. Vlera e teknologjisë në arsim duhet të vlerësohet edhe nga mënyra se si ajo e
mbështet dhe e pasuron këtë marrëdhënie. Në këtë drejtim, po punojmë intensivisht për hartimin e
strategjisë dhe të rregullores për përdorimin e inteligjencës artificiale në mësimdhënie. Synimi ynë
është t’u ofrojmë mësimdhënësve dhe studentëve orientim të qartë, mbështetje dhe një kuadër të
përgjegjshëm për përdorimin e saj.”  – u shpreh prorektori, Prof. Dr. Agon Memeti. Më tej, ai i
inkurajoi studentët që këto mjete t’i përdorin me kureshtje dhe gjykim kritik. “Kërkoni shpjegime,
kontrolloni burimet dhe merrni kohën e nevojshme për ta kuptuar atë që mësoni. Mos e
nënvlerësoni përpjekjen tuaj, sepse pikërisht gjatë kërkimit, dyshimit dhe përballjes me vështirësitë
formohet pjekuria intelektuale. Zëri juaj, idetë tuaja dhe ndershmëria juaj i japin vlerë punës që
bëni.”- përfundoi fjalën e tij Prorektori për Shkencë i UT-së.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, theksoi se tema qendrore e këtij edicioni
trajton një çështje me rëndësi të veçantë për të ardhmen e arsimit. Sipas tij, inteligjenca artificiale
dhe teknologjitë digjitale po krijojnë mundësi të reja për mësimdhënie dhe të nxënë, por
njëkohësisht paraqesin sfida që kërkojnë njohuri, përgjegjësi dhe përdorim kritik e etik të
teknologjisë. “Është e rëndësishme që mësimdhënësit e ardhshëm jo vetëm t’i njohin këto
teknologji, por edhe të dinë t’i përdorin ato në mënyrë efektive dhe të përgjegjshme në praktikën
mësimore. Agjenda e Javës së Veçantë Studimore 2026 ndërthur njohuritë teorike me aktivitetet
praktike dhe krijuese. Përmes ligjëratës së sotme dhe punës që do të zhvillohet gjatë ditëve në vijim,
studentët do të kenë mundësi t’i zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të angazhohen në përgatitjen e
paketave digjitale për mësimdhënie, të cilat përbëjnë një rezultat konkret dhe të dobishëm të kësaj
jave. Synimi ynë është që studentët tanë të jenë jo vetëm përdorues të teknologjisë, por edhe
mësimdhënës të ardhshëm që dinë ta shndërrojnë atë në një mjet të dobishëm për përmirësimin e
cilësisë së mësimdhënies dhe të nxënit.”-  deklaroi dekani, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi.
Drejtori i Qendrës Maqedonase për Edukim Qytetar, z. Besnik Ramadani, i përgëzoi organizatorët
për realizimin e kësaj veprimtarie, duke shprehur dëshirën që ajo të vazhdojë edhe në vitet e
ardhshme. Ai theksoi se për Qendrën Maqedonase për Edukim Qytetar ky është viti i dytë radhazi i
bashkëpunimit me Fakultetin Pedagogjik dhe shprehu kënaqësinë për zgjerimin e këtij
bashkëpunimi, veçanërisht me përfshirjen e Fakultetit Filozofik.

Duke e vlerësuar temën e këtij edicioni si shumë aktuale dhe të qëlluar, Besnik Ramadani nënvizoi
se inteligjenca artificiale tashmë është pjesë e realitetit tonë dhe përdoret gjerësisht, pavarësisht
qëndrimeve individuale ndaj saj. Ai shprehu bindjen që gjatë kësaj jave studentët të përfitojnë
njohuri dhe aftësi praktike për ta shfrytëzuar inteligjencën artificiale në mënyrë të përgjegjshme dhe
për ta vënë atë në shërbim të studimeve të tyre.
Në kuadër të aktivitetit hapës, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof. Dr.
Florim Idrizi, mbajti një prezantim kushtuar inteligjencës artificiale. Gjatë prezantimit, ai shtjelloi
mundësitë e shfrytëzimit të kësaj teknologjie nga studentët, praktikat e ndryshme dhe metodologjitë
bashkëkohore që mund të kontribuojnë në përmirësimin e procesit të mësimdhënies.
Gjatë ditëve në vijim, në kuadër të Javës së Veçantë Studimore 2026, studentët do të kenë mundësi
të thellojnë njohuritë e tyre mbi inteligjencën artificiale dhe digjitalizimin në arsim, si dhe të
angazhohen në aktivitete praktike e krijuese, me synim zhvillimin e kompetencave digjitale dhe
përgatitjen për sfidat e arsimit bashkëkohor.