Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e parë me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në Shën Stefan të Malit të Zi, në margjinat e Samitit të Procesit të Berlinit.
Në fokus të takimit ishin përshpejtimi i reformave evropiane, avancimi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe nevoja për mbështetjen e Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Postimi i plotë i Kurtit:
Takimin e parë në Shën Stefan në Mal të Zi në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, e pata me Komisioneren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Me institucione plotësisht funksionale Kosova do t’i përshpejtoj reformat. Javën e kaluar miratuam ligjin e fundit për integrim në SEPA, që do t’u kursejë qytetarëve, bizneseve dhe diasporës rreth 58 milionë euro në vit, ndërkohë shpejt fillojnë negociatat për “Roam like at Home” për t’ju bashkuar zonës pa tarifa shtesë.
Përparimi ynë demokratik, përkushtimi ndaj vlerave të përbashkëta dhe linjëzimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së duhet të reflektohen në hapa konkretë. Është e rëndësishme dhe e nevojshme, mbështetja proaktive e Komisionit për statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Në Procesin e Berlinit, Kosova i ka ratifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë atë për njohjen e diplomave, të cilat duhet t’i zbatojnë të gjithë, përkatësisht edhe fqinji ynë verior, Serbia.


