Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Hungarisë, György Matolcsy, është në qendër të një hetimi për dyshime për mashtrim financiar, që lidhet me humbjen e mundshme të mbi 500 milionë eurove nga fondet publike.
Sipas mediave hungareze, disa persona janë arrestuar në kuadër të hetimeve, ndërsa është raportuar edhe për një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj djalit të tij, Ádám Matolcsy.
Rasti lidhet me administrimin e aseteve të kompanive të krijuara nga Banka Qendrore gjatë kohës kur Matolcsy ishte në krye të institucionit. Autoritetet po hetojnë dyshimet për keqpërdorim të fondeve, ndërsa ish-guvernatori dyshohet edhe për përdorim të dokumenteve të falsifikuara.
Matolcsy ka qenë një nga aleatët e afërt të ish-kryeministrit hungarez, Viktor Orbán.
Ndërkohë, kryeministri aktual, Peter Magyar, ka kërkuar që çështja të hetohet plotësisht, duke kritikuar prokurorinë për ritmin e ngadaltë të hetimeve.
Hetimet pritet të hedhin më shumë dritë mbi administrimin e fondeve dhe përgjegjësitë e mundshme në një rast që përfshin shuma të mëdha parash publike.
Deri në përfundimin e hetimeve, dyshimet ndaj personave të përfshirë mbeten objekt i procedurave ligjore.


