Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë iniciativën, reagon LSDM-ja: Vendimi, pas deklaratave për “punëtorët ekonomikë”

Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë iniciativën e LSDM-së opozitare për shqyrtimin e Rezolutës së paraqitur nga VMRO-DPMNE-ja në Kuvend, me të cilën dënohen akuzat e opozitës lidhur me politikat e migracionit në vend. Gjykatësit morën vendim unanim se kjo iniciativë nuk përmban normë juridike, por se bëhet fjalë për qëndrime politike të partive. Rezoluta u paraqit në tetor të vitit të kaluar nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së, si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të LSDM-së opozitare për pranimin e migrantëve dhe ndërtimin e kampeve.

“Nga përmbajtja e saj rezulton se Kuvendi mban qëndrime politike lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me migracionin, pa vendosur norma juridike me të cilat rregullohen marrëdhënie të caktuara shoqërore. Duke pasur parasysh të gjitha këto, konsiderojmë se janë plotësuar kushtet procedurale, përkatësisht kushtet nga Rregullorja e Punës së Gjykatës, nga neni 38, alineja 1, për hedhjen poshtë të iniciativës“, deklaroi Naser Ajdari, gjykatës kushtetues.

LSDM-ja reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të hedhur poshtë iniciativën e saj kundër Rezolutës së VMRO-DPMNE-së për migrantët, duke e lidhur këtë vendim me deklaratat e fundit të përfaqësuesve të pushtetit për sjelljen e punëtorëve të huaj. Nga LSDM-ja thonë se Aleksandar Nikolloski paralajmëroi ardhjen e 50 mijë „punëtorëve ekonomikë“ në vit, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski e rriti shifrën në mbi 100 mijë. Sipas opozitës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi dy ditë pas deklaratës së Nikolloskit dhe një ditë pas asaj të Mickoskit. LSDM-ja gjithashtu akuzon pushtetin për kontroll mbi gjyqësorin dhe ndikim mbi punën e prokurorëve e gjyqtarëve, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e institucioneve.