Përtej përplasjes mes pushtetit dhe opozitës, sfida demografike po shndërrohet në një nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Nxitja e lindshmërisë, përmirësimi i standardit jetësor, sigurimi i banesave të përballueshme, mbështetja e prindërve të rinj dhe krijimi i vendeve të punës me paga konkurruese janë pjesë të së njëjtës sfidë.
Kush do t’i mbajë gjallë fabrikat, kush do t’i mbushë vendet e punës dhe kush do t’i paguajë pensionet pas 20 vjetësh? Maqedonia e Veriut po përballet me një paradoks shqetësues: ndërsa lindjet po pakësohen dhe të rinjtë vazhdojnë të kërkojnë të ardhmen jashtë vendit, ekonomia rrezikon të mbetet pa njerëzit që duhet ta mbajnë në këmbë. Paralajmërimi se deri në vitin 2030 vendit mund t’i nevojiten nga 50 mijë punëtorë të huaj në vit ka rikthyer në qendër të debatit një pyetje që prej kohësh kërkon përgjigje: a po zbrazet Maqedonia më shpejt sesa po arrin të krijojë kushte për t’i mbajtur qytetarët e saj? Kryeministri Hristijan Mickoski e sheh shpëtimin te rritja e natalitetit dhe familjet me shumë fëmijë, ndërsa opozita kundërpërgjigjet se familjet nuk mund të zgjerohen me thirrje politike, kur pagat nuk e përballojnë jetesën dhe banesat po bëhen luks.
Debati mbi të ardhmen demografike dhe ekonomike të vendit është rihapur pas deklaratës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, se deri në vitin 2030 Maqedonisë së Veriut do t’i nevojiten rreth 50 mijë punëtorë të huaj në vit për të ruajtur nivelin aktual të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Duke komentuar këtë paralajmërim, kryeministri Hristijan Mickoski tha se rënia e natalitetit dhe mungesa e fuqisë punëtore mund të kthehen në një nga kërcënimet më serioze për ekonominë vendase.
“Nëse nuk u kthehemi vlerave familjare dhe familjeve me shumë fëmijë, dhe nëse nuk i promovojmë këto vlera, për fat të keq ekonomia maqedonase do të jetë e para që do të goditet”, deklaroi Mickoski. Sipas tij, numri prej 50 mijë punëtorësh të huaj mund të jetë madje një vlerësim i nënçmuar i nevojave reale të ekonomisë.
“Kur para një viti e gjysmë apo dy vjetësh flisja për vlerat familjare dhe fertilitetin, më paraqitnin si të prapambetur dhe retrograd. Por, për fat të keq, kjo sfidë vazhdon të mbetet. Ajo që paralajmëroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit ndoshta është edhe një vlerësim i nënçmuar. Ndoshta do të na nevojiten shumë më tepër punëtorë për ta ruajtur aktivitetin ekonomik”, tha kryeministri. Mickoski theksoi se vendet e Evropës Perëndimore tashmë po përballen me probleme të ngjashme, duke lëshuar çdo vit qindra mijëra, e në disa raste miliona leje pune për shtetas të huaj.Ai paralajmëroi se do të vazhdojë të mbështesë politikat që nxisin lindshmërinë dhe familjet me shumë fëmijë, duke i cilësuar ato si investim në të ardhmen e shtetit dhe në konkurrueshmërinë e ekonomisë.
NGA MUNGESA E FËMIJËVE TE MUNGESA E PUNËTORËVE
Shqetësimi demografik nuk është i ri. Kryeministri edhe më herët kishte paralajmëruar se pasojat e zvogëlimit të popullsisë do të bëhen shumë më të dukshme në dy dekadat e ardhshme. “Nëse duam të kemi të ardhme, nëse duam të kemi shtet, atëherë familja është përgjigjja ndaj kësaj sfide”, kishte deklaruar Mickoski në një aktivitet kushtuar zhvillimeve demografike.
Sipas vlerësimeve që ai kishte paraqitur, vendi ka mbi 700 mijë të punësuar të rregullt dhe rreth 350 mijë pensionistë, ndërsa popullsia realisht e pranishme, sipas tij, nuk i kalon 1.5 milion banorë.“Ndoshta në 10 deri në 15 vitet e ardhshme nuk do ta ndiejmë të gjithë me të njëjtin intensitet këtë problem, por pas 20 deri në 25 vjetësh ajo që do t’u lëmë brezave të ardhshëm do të jetë një sfidë serioze”, kishte paralajmëruar kryeministri.
Kjo hap një tjetër dilemë për ekonominë: nëse numri i punëtorëve vazhdon të bjerë, ndërsa popullsia në moshë pensioni rritet, kush do ta sigurojë financimin e pensioneve, shëndetësisë dhe shërbimeve sociale?Ekspertët paralajmërojnë se zvogëlimi i popullsisë në moshë pune do të ushtrojë presion gjithnjë e më të madh mbi këto sisteme.
SI TË LINDIN MË SHUMË FËMIJË KUR JETA PO BËHET E PAPËRBALLUESHME?
Ndaj deklaratave të kryeministrit ka reaguar e Majta, e cila vlerëson se problemi demografik nuk mund të zgjidhet vetëm me promovimin e familjeve me shumë fëmijë. Sipas kësaj partie, Qeveria flet për rritjen e natalitetit, ndërkohë që prindërit përballen me vonesa në pagesën e shtesave për fëmijën e tretë dhe kompensimeve të lehonisë. E Majta thekson se shumë familje po përballen me rritjen e kostos së jetesës, shtrenjtimin e banesave dhe pasigurinë ekonomike. Sipas të dhënave të cituara nga partia, shporta minimale sindikale në tetor ka tejkaluar 70 mijë denarë, prej të cilave rreth 26 mijë denarë nevojiten vetëm për ushqim dhe pije për një familje katëranëtarëshe.
Në të njëjtën kohë, çmimi i një metri katror banimi në Shkup arrin deri në 3 mijë euro, ndërsa në nivel shtetëror, sipas pretendimeve të së Majtës, mbi 300 mijë njësi banimi janë të zbrazëta.
Partia kundërshton gjithashtu idenë se mungesa e fuqisë punëtore mund të trajtohet pa analizuar kushtet ekzistuese në tregun e punës. Sipas shifrave që ajo citon, në tremujorin e dytë të vitit 2026 vendi kishte rreth 90 mijë të papunë, me shkallë papunësie prej 11 për qind, ndërsa rreth 101 mijë persona punonin në mënyrë joformale, pa marrëdhënie të rregulluar pune. Këto të dhëna, sipas opozitës, tregojnë se përveç mungesës së popullsisë, vendi përballet edhe me probleme të thella në organizimin dhe funksionimin e tregut të punës.
PUNËTORË NGA NEPALI E BANGLADESHI, NDËRSA VENDASIT LARGOHEN
Përballë mungesës së fuqisë punëtore, Maqedonia e Veriut gjatë viteve të fundit ka lejuar angazhimin e punëtorëve nga vende të ndryshme, përfshirë Nepalin dhe Bangladeshin. Një pjesë e tyre janë punësuar në turizëm, hoteleri dhe sektorë të tjerë të shërbimeve. Megjithatë, janë evidentuar edhe raste kur punëtorët e huaj, pas mbërritjes në Maqedoni, janë larguar drejt vendeve të tjera evropiane në kërkim të pagave dhe kushteve më të mira. Kështu, vendi përballet me një sfidë të dyfishtë: të mbajë fuqinë punëtore vendase dhe njëkohësisht të bëhet tërheqës për punëtorët që vijnë nga jashtë.
Të dhënat statistikore tregojnë se numri i punëtorëve në industri gjatë periudhës janar-shkurt 2026 ka shënuar rënie prej 3.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak. Ndërkohë, sipas të dhënave të paraqitura, popullsia ekonomikisht aktive është zvogëluar nga 957.623 persona në vitin 2018 në 791.647 në vitin 2023, përkatësisht për 165.976 persona. Kjo rënie nuk nënkupton domosdoshmërisht se të gjithë këta persona janë larguar nga shteti, por dëshmon për tkurrjen e konsiderueshme të fuqisë aktive të punës.
QEVERIA PO E RËNDON GJENDJEN EKONOMIKE
Kritika ndaj politikave ekonomike të Qeverisë ka drejtuar edhe nënkryetari i LSDM-së, Goran Gerasimovski. Ai deklaroi se pushteti i VMRO-DPMNE-së ka dëshmuar gjatë dy viteve të fundit se nuk di ta drejtojë shtetin.“VMRO-ja tregoi se gjatë këtyre dy viteve nuk di ta udhëheqë shtetin. Shteti po udhëhiqet shumë më keq se nga cilado qeveri e mëparshme. Këtë e tregojnë edhe anketat, pakënaqësia dhe revolta e qytetarëve”, deklaroi Gerasimovski, ndërsa shtoi se pakënaqësia nuk kufizohet vetëm te një kategori e popullsisë, por përfshin administratën, bujqit, biznesmenët dhe punëtorët. “Gjithçka që po ndodh në shtet është katastrofike, veçanërisht në ekonomi. Shohim administratë të pakënaqur, bujq të pakënaqur dhe biznesmenë të pakënaqur”, u shpreh ai.
Gerasimovski kritikoi edhe ngecjen e integrimit evropian, duke akuzuar Qeverinë se po humbet kohë të çmuar për të ardhmen e vendit. “Kemi humbur dy vite të çmuara. Përgjegjësia është te pushteti, i cili ka marrë mbështetjen e qytetarëve dhe ka një numër të madh deputetësh që duhet të vendosin se si do të vazhdojë Maqedonia drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.
Ndryshe, përtej përplasjes mes pushtetit dhe opozitës, sfida demografike po shndërrohet në një nga çështjet më të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të Maqedonisë së Veriut. Nxitja e lindshmërisë, përmirësimi i standardit jetësor, sigurimi i banesave të përballueshme, mbështetja e prindërve të rinj dhe krijimi i vendeve të punës me paga konkurruese janë pjesë të së njëjtës sfidë. Politikat për familjet me shumë fëmijë mund të japin rezultate në afat të gjatë, por nuk mund ta zgjidhin menjëherë mungesën e fuqisë punëtore.
Ndërkohë, emigrimi dhe kushtet e punës mbeten faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në kapacitetin ekonomik të vendit. Nëse tendencat aktuale vazhdojnë, Maqedonia e Veriut mund të përballet me një realitet ku nevoja për punëtorë do të rritet, ndërsa numri i njerëzve që mund t’i plotësojnë ato vende pune do të zvogëlohet. Dhe pikërisht këtu qëndron dilema më e madhe: a do të arrijë shteti të krijojë kushte që qytetarët e tij të ndërtojnë familje dhe të ardhme në vendlindje, apo pas dy dekadash do të detyrohet ta kërkojë fuqinë e vet punëtore mijëra kilometra larg?


