‘The Times’ tërhiqet nga akuzat ndaj Infantinos, gazeta britanike i kërkon falje FIFA-s

Gazeta britanike “The Times” ka kërkuar falje publike ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, pasi pranoi se kishte publikuar informacione të pasakta lidhur me pagat dhe interesat e tij financiare.

Më 13 tetor 2026, gazeta raportoi se Infantino kishte përfituar një shpërblim të dytë nga FIFA, i cili nuk ishte deklaruar nga organizata. Megjithatë, “The Times” pranoi më pas se ky pretendim ishte i pasaktë dhe se presidenti i FIFA-s nuk kishte marrë asnjë shpërblim të tillë.

Sipas sqarimit të publikuar, shpenzimet dhe rimbursimet e Infantinos nuk klasifikohen si kompensim sipas rregullave zvicerane për raportimin financiar.

Gazeta britanike korrigjoi gjithashtu pretendimet lidhur me blerjen e një prone në Miami. Ndryshe nga sa ishte raportuar më parë, Infantino nuk kishte blerë një pronë me çmim dukshëm më të ulët se vlera reale e saj.

Një tjetër çështje e përgënjeshtruar lidhet me kompaninë “Shadi LLC”. Sipas sqarimit të “The Times”, as Infantino dhe as familjarët e tij nuk janë pronarë ligjorë apo përfitues të kësaj kompanie dhe nuk ushtrojnë kontroll mbi të.

FIFA konfirmoi se kishte marrë dijeni për kërkim-faljen e gazetës britanike, duke e cilësuar raportimin fillestar si të pasaktë dhe dëmtues për imazhin e presidentit të saj.

Në reagimin e saj, organizata botërore e futbollit u bëri thirrje medieve që të verifikojnë me kujdes informacionet dhe burimet përpara publikimit të akuzave. FIFA theksoi se gazetaria investigative është e ligjshme dhe e nevojshme, por nuk duhet të shërbejë si justifikim për përhapjen e pretendimeve të pavërteta ose shpifëse.