Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave i Maqedonisë së Veriut, Albrim Hoxha, mori pjesë në Samitin Ballkanik 2026, që u mbajt në Prishtinë.
Hoxha ishte panelist në sesionin kushtuar bujqësisë dhe sektorit agro-ushqimor, me temë “Nga toka ballkanike te raftet globale: bujqësia, agroteknologjia dhe përpunimi i ushqimit në shkallë të gjerë”.
Në këtë panel, krahas zëvendësministrit Hoxha, morën pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Kosovës, Armend Muja, si dhe Ilir Ajdini, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë.
Diskutimet u përqendruan në perspektivat e zhvillimit të bujqësisë në Ballkanin Perëndimor, forcimin e bashkëpunimit rajonal, modernizimin e prodhimit bujqësor dhe mundësitë për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve agro-ushqimore në tregjet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e Hoxhës në këtë samit ishte një mundësi për të prezantuar perspektivën e Maqedonisë së Veriut dhe për të shkëmbyer përvoja me përfaqësuesit e Kosovës dhe Shqipërisë mbi sfidat dhe mundësitë e përbashkëta në sektorin e bujqësisë.
Samiti Ballkanik 2026 mblodhi përfaqësues institucionalë, ekspertë dhe aktorë të fushave të ndryshme, me fokus zhvillimin ekonomik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.


