Galeria e Arteve Tetovë hap ekspozitën “Perla kujtimesh” të piktores Enesa Memeti

Me 40 vepra artistike, Enesa Memeti sjell një botë emocionesh, kujtimesh dhe simbolikash përmes figurës së mjellmës së zezë.

Në I.N. Galeria e Arteve Tetovë është hapur ekspozita “Perla kujtimesh” e piktores dhe profesoreshës Enesa Memeti, e cila përmes 40 veprave artistike prezanton një cikël pikturash të pasura me emocione, simbolikë dhe reflektime mbi kujtesën, dashurinë dhe transformimin emocional.

Ekspozita mblodhi personalitete nga jeta publike, profesorë, studentë dhe artdashës, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me krijimtarinë e artistes dhe botën e saj të veçantë artistike.

Në qendër të veprave të Memetit qëndron mjellma e zezë, e trajtuar si simbol i bukurisë, elegancës, lirisë dhe ndryshimit. Përmes kontrasteve mes dritës dhe errësirës, brishtësisë dhe forcës, artistja përcjell ndjesi të thella, duke shprehur dhimbjen e humbjes, fuqinë e kujtimeve dhe lidhjen emocionale me njerëzit e dashur.

U.D. drejtoresha e Galerisë së Arteve Tetovë, Arbenita Meta, theksoi se ekspozita është pjesë e programit vjetor të institucionit dhe realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo vlerësoi përkushtimin dhe krijimtarinë e piktores Enesa Memeti, duke e falënderuar për bashkëpunimin dhe besimin e dhënë Galerisë për realizimin e kësaj ekspozite.

Dimensionin artistik dhe filozofik të veprave e prezantoi profesoresha e Fakultetit të Artit Figurativ në Universitetin e Tetovës, Nora Halimi, përmes tekstit kuratorial “Perla kujtimesh”. Ajo i cilësoi pikturat si interpretime ekspresive të bukurisë, lirisë, elegancës dhe madhështisë së mjellmës së zezë, duke vënë në pah edhe dinamikën e lëvizjes dhe simbolikën e flatrave të hapura.

Ndërkaq, kuratori i ekspozitës, Afrim Ziberi, vlerësoi veprat e artistes për simbolikën e veçantë, ndjeshmërinë emocionale dhe vlerat e spikatura artistike.

Në fund, Enesa Memeti falënderoi publikun për pjesëmarrjen dhe Galerinë për mbështetjen, duke theksuar rëndësinë e artit si një mënyrë për të shprehur emocionet dhe për të përcjellë mesazhe që tejkalojnë fjalët.

Ekspozita “Perla kujtimesh” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 22 tetor 2026, në Galerinë e Arteve Tetovë.