Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, organizoi një aktivitet me rastin 16 Tetorit, Ditës Botërore të Ushqimit, me moton “Inovacioni i sotëm, ushqimi i së nesërmes”. Në këtë ngjarje morën pjesë drejtues të Universitetit, profesorë, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, të cilët patën mundësinë të njihen me rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme dhe rolin e shkencës në përmirësimin e cilësisë së ushqimit.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të shoqërisë për ushqyerjen e shëndetshme dhe ndikimin e saj në cilësinë e jetës. “Sensibilizimi për këto çështje është jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrethanat në të cilat jetojmë. Ushqimi që konsumojmë sot reflektohet në shëndetin tonë në të ardhmen, prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm për cilësinë e tij dhe mënyrën tonë të jetesës. Universiteti, përmes aktiviteteve të këtilla, synon të kontribuojë në ngritjen e vetëdijes dhe promovimin e një jete më të shëndetshme.” – theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Gafur Xhabiri, u shpreh se shënimi i Ditës Botërore të Ushqimit ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së popullsisë për rëndësinë e ushqimit, ndërsa për institucionet akademike kjo ditë është një mundësi për të dëshmuar lidhjen ndërmjet shkencës dhe konsumatorëve. “Dita Botërore e Ushqimit synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e ushqimit në mbarë botën. Motoja e këtij viti, “Inovacioni i sotëm, ushqimi i së nesërmes”, ka rëndësi të veçantë për fakultetin tonë, pasi ndërlidh shkencën me nevojat e konsumatorëve. Sot kemi ftuar edhe nxënës të shkollave të mesme, ndërsa studentët tanë kanë përgatitur ushqime tradicionale, duke ndërthurur njohuritë akademike me vlerat e traditës sonë ushqimore.” – u shpreh dekani Prof. Dr. Gafur Xhabiri.
Në kuadër të aktivitetit, studentët prezantuan ushqime tradicionale të përgatitura prej tyre, duke promovuar trashëgiminë gastronomike dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave ushqimore.
Përmes këtij organizimi, Universiteti i Tetovës respektivisht Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit ritheksojnë përkushtimin ndaj edukimit, inovacionit dhe ndërgjegjësimit të brezave të rinj për rëndësinë e të ushqyerit shëndetshëm.



