A do të bëhet Edi Rama si Ramiz Alia i viteve ’90-a?

Nga Arben RATKOCERI

A do të bëhet Edi Rama si Ramiz Alia i viteve ’90, që e menaxhoi transformimin e sistemit në mënyrë pothuajse perfekte duke pasur parasysh se çfar Shqiperie ka qene para 90-ve.

Zhvillimet aktuale, por edhe duke ditur se që nga qershori keto priteshin, Shqipëria, e bashkë me të edhe Edi Rama, ndodhet përballë një sfide historike: transformimit sa më të qetë të Shqipërisë postkomuniste drejt një Shqipërie europiane, me sa më pak trauma shoqërore e politike.

Kujtojmë se, historikisht, ne shqiptarët jemi ndër kombet më të vonuara në Europë në gjitha aspektet dhe jo rastesisht Shqipëria mbetet një rast i veçantë në Europën ish-komuniste, ku elitat post komuniste vazhdojnë të jenë faktorët kryesorë të jetës politike e shiqerore.

Rruga duhet të kalojë përmes tri prioriteteve:
1. Qeveri ekspertësh me perkrahje te gjere me keto tri detyra baze. Përgatitja sa më e mirë e samitit të NATO-s vitin e ardhshëm , vazhdim te reformave dhe përmbyllja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
2. Forcimi i SPAK-ut. Mbështetje edhe më e fuqishme për pavarësinë dhe veprimtarinë e SPAK-ut, si një kusht thelbësor për sundimin e ligjit dhe shkëputjen përfundimtare nga praktikat e së kaluarës.
3. Zgjedhje në momentin e duhur. Zgjedhjet duhet të organizohen në një moment që i jep Shqipërisë mundësinë të krijojë dhe të konsolidojë elita të reja politike, me ide, vizion europian dhe përgjigje konkrete ndaj nevojave të qytetarëve. Ky moment i zgjedhjeve mund të lidhet me marrjen e ftesës për anëtarësim në BE, duke garantuar kohën e nevojshme për përgatitjen dhe konsolidimin e alternativave të reja politike, pse jo edhe si prodhim nga masa e protestueseve aktual.

Çdo organizim i parakohshëm i zgjedhjeve, pa u dhënë alternativave të reja kohën e nevojshme për t’u përgatitur e konsoliduar, rrezikon vetëm të riciklojë jetëgjatësinë politike të aktorëve aktualë postkomunistë seolpse keta ” kontrollojnë çdo gjë duke perfshire edhe ajrin qe thithim”

Shqipëria ka nevojë për një tranzicion të ri, jo thjesht për ndërrim pushteti, por për ndryshim të elitave, të mendësisë dhe të mënyrës së qeverisjes.

Pyetja është A do të zgjedhë Edi Rama të luajë rolin e një udhëheqësi që e përmbyll tranzicionin, apo do të bëhet pengesë për lindjen e elitave të reja politike konform kohës e nevojës?

P.S. Uroj që zhvillimet aktuale politike të mos prodhojnë elita të tilla, saqë brenda një kohe të shkurtër të kërkohet rikthimi i Edi Ramës ose i Sali Berishës. Ky rrezik ekziston dhe na e dëshmon historia e shumë zhvillimeve të ngjashme në vende të ndryshme, ku, duke “kërkuar shiun, kanë prodhuar breshër”.