“Vdekje për shqiptarët”, i njëjti skenar ndër vite

Fotografi të reja të siguruara nga KOHA dëshmojnë për grafite nacionaliste në murin e pishinës së Kumanovës, një hapësirë publike që u shërben qytetarëve të komuniteteve të ndryshme. Përsëritja e mesazheve të tilla, edhe pas më shumë se dy dekadash nga Marrëveshja e Ohrit, ngre shqetësime për klimën ndëretnike në qytet

Anëmsha SHABANI

Shkup, 14 tetor – Mbishkrimet me përmbajtje antishqiptare në Kumanovë nuk janë dukuri e re, por problem që përsëritet ndër vite, duke rikthyer shqetësimet për marrëdhëniet ndëretnike dhe reagimin e institucioneve. Thirrjet për “vdekjen e shqiptarëve” nuk janë thjesht fjalë të shkruara në mure, por mesazhe që nxisin urrejtje ndaj një komuniteti të tërë. Kur raste të tilla vazhdojnë të shfaqen, ndërsa përgjegjësia për autorët mbetet e paqartë, pikëpyetjet shtohen për efektivitetin e masave parandaluese, shkruan gazeta KOHA.

Fotografi të reja të siguruara nga KOHA dëshmojnë për grafite nacionaliste në murin e pishinës së Kumanovës, një hapësirë publike që u shërben qytetarëve të komuniteteve të ndryshme. Përsëritja e mesazheve të tilla, edhe pas më shumë se dy dekadash nga Marrëveshja e Ohrit, ngre shqetësime për klimën ndëretnike në qytet dhe për mënyrën se si trajtohet gjuha e urrejtjes.

Sociologu Ali Pajaziti vlerëson se grafitet pasqyrojnë një klimë politike të tendosur dhe një shqiptarofobi që, sipas tij, ushqehet edhe nga Beogradi. “Këto grafite janë pasqyrim i një klime politike të tendosur, i një shqiptarofobie që po mëkohet edhe nga Beogradi, siç shihet nga njëri prej mbishkrimeve. Sociologjikisht po hapet hendeku që synohej të eliminohej pas Ohrit 2001. Mesazhet murale janë tepër deprimuese, sepse janë në hapësira publike ku kalojnë njerëz dhe krijojnë urrejtës të rinj. Njeriu e shpreh atë që ka brenda, thotë psikologjia, por kjo ka potencial masovizimi, që mund të ketë pasoja për këtë qytet shumëkulturor dhe më gjerë, në gjithë vendin. Ky është një krim subkulturor, i shprehur përmes artit alternativ, që në këtë rast ka kaluar në etno-fashizëm”, tha Pajaziti për gazetën KOHA.

Kritik ndaj reagimit institucional është edhe këshilltari komunal i AKI-së, Blerim Hyseni, i cili për gazetën KOHA deklaroi se ofendimet mbi baza etnike janë bërë përditshmëri në Kumanovë, duke akuzuar pushtetin lokal për nxitje të provokimeve ndëretnike. “Ofendimet mbi baza etnike në Kumanovë janë bërë përditshmëri dhe fatkeqësia qëndron në faktin se institucionet vazhdojnë të heshtin dhe të mos marrin as edhe një masë kundër atyre që shkruajnë grafite antishqiptare. Kjo të çon të mendosh se kemi të bëjmë me ‘amnisti’, sepse pushteti lokal, në pamundësi për t’i zgjidhur problemet esenciale të qytetit, nxit provokime të karakterit ndëretnik”, deklaron Hyseni, duke shtuar se këshilltarët do të kërkojnë sqarime dhe masa për parandalimin e rasteve të tilla dhe theksoi se ndëshkimi i autorëve është i domosdoshëm për të mos lejuar që pandëshkueshmëria ta shtojë këtë dukuri.

Nga ana tjetër, KOHA kontaktoi edhe MPB-në në Kumanovë, por edhe këtë herë, nuk dha një përgjigje konkrete për mënyrën se si trajtohen mbishkrimet nacionaliste që përsëriten në qytet, por u mjaftua me sqarimin se rasti nuk është denoncuar. “Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë nuk ka marrë asnjë raportim lidhur me grafitet në pishinën e Kumanovës. Sektori vepron në përputhje me kompetencat e tij ligjore për të gjitha incidentet e raportuara, në koordinim me Prokurorinë Publike të Kumanovës”, thuhet në përgjigje.

Ndryshe, kjo është hera e dytë që MPB-ja në Kumanovë jep një përgjigje të tillë, pa iu përgjigjur më gjerësisht shqetësimit të ngritur. Edhe pse mungesa e denoncimit mund të jetë e rëndësishme për procedurat policore, ajo nuk e zhbën faktin se mbishkrime të tilla përsëriten prej vitesh në hapësirat publike të qytetit. Prandaj, mbetet e hapur çështja se çfarë masash ndërmerren për identifikimin e autorëve dhe parandalimin e rasteve të ngjashme, në mënyrë që hapësirat e përbashkëta të mos shndërrohen vazhdimisht në vende ku përçohet urrejtje etnike.