Në Tetovë është hapur solemnisht Konferenca e Parë Ndërkombëtare me temë “Ura e dijes: Diversiteti, dialogu dhe inovacionet në bibliotekat bashkëkohore”, e organizuar nga Institucioni Nacional Biblioteka “Koço Racin” – Tetovë.
Në hapjen e konferencës mori pjesë edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të bibliotekave dhe investimeve në modernizimin e shërbimeve bibliotekare.
Konferenca synon të krijojë hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe ideve të reja ndërmjet profesionistëve nga vendi dhe rajoni, me fokus të veçantë në digjitalizimin, inovacionet dhe zhvillimin e shërbimeve bibliotekare.
Ministri Sulejmani vlerësoi se investimi në biblioteka është investim në dije dhe në të ardhmen e shoqërisë, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e kujtesës kolektive, nxitjen e mendimit kritik dhe afrimin e komuniteteve.
Ai përgëzoi drejtorin e Bibliotekës “Koço Racin”, Binas Pajaziti, si dhe të gjithë punonjësit për përkushtimin dhe organizimin e konferencës, ndërsa pjesëmarrësve u uroi diskutime të suksesshme dhe frytdhënëse, nga të cilat pritet të dalin ide dhe projekte konkrete për zhvillimin e bibliotekave bashkëkohore.


