Protestuesit bllokojnë një makinë zjarrfikëse pranë Parlamentit, sulmohet me molotov Ministria e Drejtësisë

Një grup protestuesish kanë bllokuar për disa minuta lëvizjen e një makine zjarrfikëse pak metra larg Parlamentit. Mjeti zjarrfikës dyshohet se ishte nisur për të shuar disa nga zjarret e ndezura në koshat e plehrave dhe pranë ambienteve të bizneseve në kryeqytet.

Protestuesit u kanë kërkuar zjarrfikësve të zbresin nga mjeti, ndërsa disa prej tyre kanë goditur makinën. Kanë qenë protestues të tjerë që kanë ndërhyrë, duke parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të saj.

Ndërkohë, pak kilometra më tej, protestuesit kanë sulmuar Ministrinë e Drejtësisë me bomba molotov dhe mjete piroteknike. Gjatë sulmit janë thyer xhamat e godinës dhe është ndezur zjarr në katin e parë të dikasterit të drejtuar nga Toni Gogu.