Ku ndodhet Maqedonia në procesin e integrimit evropian, çfarë kemi arritur, cilat janë pengesat për vazhdimin e rrugës drejt BE-së dhe nëse ekziston një strategji konkrete për të dalë nga situata aktuale. Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, i drejtoi kryeministrit Mickoski pyetje të drejtpërdrejta për rrugën evropiane të vendit, veçanërisht pas takimit të fundit të ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Bullgarisë, Timço Mucunski dhe Velislava Petrova Çamova, si dhe mesazheve të komisares evropiane Ursula von der Leyen gjatë vizitës së saj në vend. Pasholli kërkoi hapur përfshirjen e Kuvendit në këtë proces, veçanërisht të opozitës.
“Cila është strategjia konkrete për zhbllokimin e situatës rreth negociatave me Bashkimin Evropian? A keni siguruar ndonjë garanci nga Bashkimi Evropian ose nga pala bullgare për të mundësuar ndryshimin e gjendjes aktuale? Nëse jo, cilat janë pritshmëritë dhe cili është afati brenda të cilit parashikoni që Maqedonia e Veriut duhet të ndërmarrë hapin e radhës në negociata?”, tha Arbana Pasholli
Kryeministri Mickoski u përgjigj se Bashkimi Evropian mbetet prioritet për vendin dhe e ftoi opozitën të bëhet pjesë e ekipit negociues me Bullgarinë. Sa u përket hapave të mëtejshëm, ai tha se do t’i kërkohet fqinjit tonë lindor të pranojë Planin e Veprimit për Pakicat, pa të cilin nuk mund të nisin negociatat.


