Rusia arreston një gazetar japonez, akuzohet për spiunazh

Rusia ka arrestuar një gazetar japonez në ishullin lindor të Sakhalin nën akuzën për spiunazh. Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse, Maria Zakharova, e identifikoi gazetarin si Yuki Imai, nga gazeta Hokkaido Shimbun, duke shtuar se ai ishte akuzuar për “kryerje aktivitetesh spiunazhi në territorin rus”.

Imai, një reporter në zyrën e gazetës në qytetin Yuzhno-Sakhalinsk në Sakhalin, thuhet se po përgatitej të kthehej në Japoni kur u arrestua për dyshimin se kishte mbledhur informacione mbi aftësitë mbrojtëse të Rusisë.

Agjencia e sigurisë FSB e Rusisë pretendoi se gazetari kishte ndërmend t’ia kalonte informacionin inteligjencës japoneze.

FSB-ja publikoi një video që tregonte oficerë të maskuar që sulmonin një dhomë hoteli, duke e shtyrë një burrë përtokë dhe duke e prangosur. Burri u dërgua me aeroplan në Moskë, ku një gjykatë urdhëroi që ai të mbahej në paraburgim. Akuza të tilla në Rusi dënohen deri në 20 vjet burg.

Ministria e jashtme e Japonisë i kërkoi Moskës t’i ofrojë “trajtim të drejtë dhe të paanshëm” gazetarit të ndaluar.

“Ambasada japoneze në Moskë dhe konsullata e përgjithshme në Yuzhno-Sakhalinsk paraqitën një kërkesë pranë autoriteteve ruse për dhënien e shpejtë të informacionit, si dhe për konsideratë humanitare dhe trajtim të drejtë dhe të paanshëm”, tha një zyrtar për Agence France-Presse.

Gazeta Hokkaido Shimbun tha në një deklaratë se ishte në dijeni të njoftimit nga autoritetet ruse, por “ende po konfirmonte detajet”.