FOTO/ Alarmi për bombë nga Shkodra në Vlorë e Gjirokastër, policia ndërmerr masa

Ditën e sotme u raportua se disa institucione të vendit kanë marrë e-mail kërcënues, përmes të cilave pretendohet se është vendosur një mjet shpërthyes dhe paralajmërohej hakmarrje ndaj tyre.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, në mesazhet e dërguara, autori prezantohet si “udhëheqës i ushtrisë serbe” dhe përdor gjuhë kërcënuese ndaj institucioneve që kanë marrë komunikimet. E-maili është dërguar edhe në bashki të tjera të vendit.

“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush.

Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, thuhet në përmbajtjen e e-mail-it.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se policia ka mbërritur te mbledhja e Prokurorëve pas alarmit për bombë nëpërmjet e-mail-it.

Gjithashtu Policia e Shtetit ka njoftuar se nga verifikimet paraprake nuk është konstatuar prania e lëndëve shpërthyese, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorit dhe burimit të mesazhit.

Disa nga institucionet në vend kanë zbuluar për marrjen e mesazhit në fjalë. Gjykata e Elbasanit ka marrë njoftimin në orën 08.30, duke bënë në lëvizje strukturat përgjegjëse për verifikimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme të sigurisë.

E-mail kërcënues për institucionet në Shqipëri ka alarmuar stafin e Gjykatës së Shkodrës, i cili ka dalë jashtë godinës. Ndërkohë mbetet për t’u sqaruar nga autoritetet nëse kërcënimi është real dhe çfarë masash do të merren për garantimin e sigurisë.

Alarmi për bombë ka vënë gjendje gatishmërie disa institucione në Lezhë, kryesisht Bashkinë dhe Prefekturën, pas mbërritjes së e-mail-it kërcënues. Pritet që strukturat përgjegjëse të kryejnë verifikimet dhe të marrin masat e nevojshme të sigurisë për të garantuar mbrojtjen e punonjësve dhe qytetarëve.

Alarmi për bombë ka mbërritur mëngjesin e kësaj të premte edhe në disa institucione të qytetit të Vlorës si, Gjykata, Prokuroria, Bashkia dhe Spitali Rajonal. Strukturat e Antiterrorit në Policinë e Vlorës kanë kryer kontrolle në institucionet e prekura, por deri më tani nga policia theksohet  se bëhet fjalë për një alarm të rremë. Ky është rasti i dytë brenda rreth një muaji, pasi i njëjti mesazh mbërriti edhe më herët në këto institucione, duke vënë në lëvizje forcat e Policisë së Vlorës.

Edhe Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka marrë e-mail-in kërcënues për bombë. Sapo është marrë mesazhi, është informuar Policia Vendore, specialistët e Kibernetikës në këtë polici, të cilët kanë shkuar në zyrën e Marrëdhënieve me Publikun në këtë Gjykatë, në të cilën ka mbërritur e-mail kërcënues.