Apeli më 10 dhjetor do ta shqyrtojë sërish rastin e Llaskarcës, është caktuar seancë publike

Gjykata e Apelit më 10 dhjetor do të mbajë seancë publike për çështjen e aksidentit të autobusit të “Durmo Tours” te Laskarci, pasi Gjykata Supreme muajin e kaluar e anuloi vendimin e Apelacionit dhe e ktheu çështjen për vendim të ri në këtë gjykatë.

Për aksidentin e autobusit në Llaskarcë, në të cilin më 13 shkurt 2019 humbën jetën 16 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, Gjykata themelore penale e Shkupit në vendimin e shkallës së parë i dënoi të gjashtë të akuzuarit. Shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, u dënua me 14 vjet burg, pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, me 4 vjet, ndërsa përgjegjësi për transportin në kompani, Remzi Miftari, me 6 vjet burg. Punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarovski, u dënuan me nga 5 vjet burg.

Prokuroria u ankimua për lartësinë e dënimeve për katër nga të akuzuarit, duke vlerësuar se sanksionet nuk ishin në përputhje me rëndësinë e pasojave dhe shkallën e përgjegjësisë së tyre. Apeli i Shkupit në maj 2025 e pranoi ankesën dhe i rriti dënimet për katër të akuzuar. Durmish Beluli, në vend të 4 viteve fillestare, mori 10 vjet burg, ndërsa Remzi Miftari nga 6 u dënua me 10 vjet. Për punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski dhe Goran Dukovski, dënimet u rritën në nga 7 vjet burg. Dënimi për Jane Bovarovski mbeti 5 vjet, ndërsa për shoferin Manoil Trifunovski 14 vjet burg.

Këshilli për vepra penale pranë Gjykatës Supreme i pranoi kërkesat për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të formës së prerë të paraqitura nga të dënuarit. Sipas arsyetimit, Apelacioni gjykatë nuk kishte dhënë përgjigje mjaft konkrete dhe të qarta ndaj pretendimeve thelbësore të ankesave, pra nuk kishte arsyetuar në detaje se si veprimet e secilit nga të akuzuarit dhe gjendja e papërshtatshme teknike e autobusit kishin kontribuar drejtpërdrejt në tragjedi.