Ministri Stefan Andonovski ka paralajmëruar se më 28 tetor do të promovohet aplikacioni „m.Uslugi“, përmes të cilit qytetarët do të mund t’i kenë letërnjoftimin dhe patentë-shoferin në formë digjitale në telefon.
Aplikacioni do të jetë falas dhe përdorimi i tij vullnetar. Dokumentet fizike do të vazhdojnë të vlejnë, ndërsa jo të gjitha institucionet pritet t’i pranojnë menjëherë versionet digjitale.
Sipas Andonovskit, aplikacioni është në fazën përfundimtare të testimit dhe synon të lehtësojë qasjen në dokumentet personale dhe shërbimet shtetërore përmes telefonit celular. Ai pritet të jetë i disponueshëm përmes platformave Google dhe Apple.
Ndërkohë, propozimi për marrëveshjen e roamingut me BE-në, sipas parimit „roaming si në shtëpi“, u është dorëzuar institucioneve për shqyrtim. Andonovski pret që marrëveshja të përmbyllet në fillim të vitit 2027.


