Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar pas reagimeve për ushtrim të dhunës policore ndaj dy të rinjve shqiptarë, duke bërë të ditur se Kontrolli i Brendshëm po heton rrethanat e rastit.
Sipas Isenit, pretendimet duhet të hetohen dhe të zbardhen plotësisht, ndërsa në rast se konstatohen shkelje, personat përgjegjës duhet të përballen me përgjegjësi. “Pretendimet për dhunë policore ndaj dy qytetarëve më 7 tetor në Shkup duhet të zbardhen plotësisht. Kontrolli i Brendshëm po heton rastin dhe, nëse konstatohen shkelje, do të ketë përgjegjësi. Si zëvendësministër i Punëve të Brendshme, qëndrimi im është i qartë: uniforma është përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët dhe për t’i shërbyer ligjit. Çdo keqpërdorim i autoritetit cenon besimin dhe dinjitetin e institucionit. Përkushtimi ynë është një polici që vepron me profesionalizëm dhe jep llogari. Transparenca dhe llogaridhënia janë thelbësore për besimin në polici. Qytetarët do të njoftohet në kohë për rezultatet e hetimit dhe masat që do të ndërmerren”, ka thënë Iseni.


