Bashkëshorti i këshilltares së Albulena Haxhiut sot bëhet këshilltar për media i presidentes Shiroka-Pula

Presidenca e Kosovës sot do të “përforcohet” me një tjetër njeri, i cili është i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Gazeta Nacionale ka mësuar se sot pritet që kabinetit të presidentes Justina Shiroka-Pula t`i bashkohet Bekim Kupina, ish-këshilltar për media i ish-presidentes Vjosa Osmani.

Edhe në kabinetin e Shiroka-Pulës, Kupina do ta ketë pozitën e këshilltarit për media të presidentes.

Bekim Kupina është bashkëshorti i këshilltares për media të kryeparlamentares Albulena Haxhiut, Vlora Konushevcit.

Kjo e fundit ka edhe lidhje familjare me Haxhiun, e cila është kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Bekim Kupina është gazetar me disa vite përvojë pune në media.

Për disa vjet ka mbajtur pozitën e redaktorit në gazetën Koha Ditore dhe portalin Koha.net. Prej vitit 2020 e deri në prill 2026 ka shërbyer si këshilltar për media i Kryetares së Kuvendit të Kosovës dhe i Presidentes së Republikës së Kosovës..

Gazeta Nacionale mbrëmë ka raportuar se presidentja e sapozgjedhur, Justina Shiroka-Pula, ka emëruar shefe të stafit Berita Abazin, ish-shefen e stafit të Albulena Haxhiut.

Abazi është edhe asambliste e Vetëvendosjes në Prishtinë.

Ndërsa, zëvendësshefe të stafit e ka emëruar Donika Kavajën, të cilën e kishte si bashkëpunetore sa ishte në kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Shefen e stafit, aktivisten e Vetëvendosjes Berita Abazin, presidentja Shiroka-Pula e ka autorizuar që t’i emërojë edhe nëpunësit e tjerë të kabinetit, si asistentët etj.

Emërimet e para të presidentes kanë nxitur reagimet të shumta.

Pas raportimit të Nacionales, i është kërkuar presidentes që t`i largojë nga kabinetit militantët e VV-së.

Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe analisti Shenoll Muharremi.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se presidentja duhet të emërojë staf profesional.

“I bëj thirrje publike Justina Pulës që menjëherë të i korrigjojë këto veprime dhe pa vonesë të emërojë personel profesional dhe sidomos të pavarur nga partitë politike. Përndryshe ajo në fillim rrezikon seriozisht të shkatërroj reputacionin e saj dhe të e humbë besimin e publikut ende pa filluar mirë punën”, ka shkruar ai.