Bashkimi Evropian, të enjten, nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar ndaj ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara së fundmi nga Kuvendi i Kosovës, duke thënë se ato janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
BE-ja ka deklaruar se vazhdon ta mbështesë punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, të cilat i konsideron institucion të pavarur gjyqësor.
Sipas BE-së, Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014 dhe 2015, ndërsa veprojnë në kuadër të sistemit juridik të Kosovës dhe janë të përcaktuara edhe në Kushtetutën e Kosovës. “Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht”, thuhet në reagimin e BE-së.
BE-ja ndër të tjera ka theksuar se proceset në Dhomat e Specializuara bazohen në parimin e përgjegjësisë individuale penale.
BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të respektojë obligimet e saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara në ushtrimin e funksionit gjyqësor.
Po ashtu, BE-ja ka kërkuar që të sigurohet llogaridhënia dhe drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, pavarësisht përkatësisë së tyre komunitare.
Në reagim është theksuar edhe nevoja për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e dëshmitarëve.
Ndryshe Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, e cila kishte iniciuar ndryshimin e ligjit, ka kundërshtuar qëndrimin e BE-së.
Gruda ka thënë se Kosova nuk po shkel asnjë nga detyrimet e saj ndërkombëtare dhe se ndryshimet nuk nënkuptojnë mbylljen e Gjykatës Speciale.
“Kosova u rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafikim të organeve. Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkelet”, tha Gruda në një konferencë për media.
Ai iu referua edhe deklaratës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Prishtinë javën e kaluar. Ajo kishte thënë se vendimi për ndryshimet në legjislacion i takon Kosovës, por kishte theksuar se duhet të garantohet pavarësia e Gjykatës Speciale.


