Analisti Xhenur Iseni dhe profesori universitar Fati Iseni kanë komentuar në emisionin “Debat në Sheja” zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës si presidente, duke u ndalur te prejardhja e saj akademike, përmendja e emrit të saj në skenën politike dhe roli i saj në fushën e arsimit.
Xhenur Iseni tha se ishte e pritshme që një figurë nga Akademia të vendosej në krye të shtetit, ndërsa theksoi se emri i Justinës ishte përmendur edhe më herët në qarqet politike.
“Ishte e rendit që dikush nga Akademia të vendoset në krye të shtetit. Znj. Justina ka qenë edhe më herët e përmendur në kuloaret politike”, deklaroi Iseni.
Ndërkohë, profesori universitar Fati Iseni tha se emri i saj ka qarkulluar edhe më herët, duke folur për formimin dhe angazhimin e saj akademik.
“Emri i saj ka qarkulluar edhe më herët. Formësimin e saj e ka në Kroaci dhe ne e dimë që vijnë nga dy familje të rëndësishme, qoftë Shiroka, qoftë Pula”, u shpreh Fati Iseni.
Ai veçoi gjithashtu angazhimin e saj në fushën e arsimit, duke theksuar rolin që, sipas tij, ka pasur në mbështetjen dhe themelimin e Universitetit të Tetovës.
“E para kryetare femër është Justina, e cila realisht ka qenë pro mbështetjes së arsimit në vendin tonë. Ajo ka dhënë përkrahje të jashtëzakonshme në themelimin e UT-së, duke shërbyer si profesoreshë”, tha profesori universitar.
Në të njëjtin diskutim, ish-komandanti Rafis Aliti ka ngritur pikëpyetje lidhur me kohën kur është marrë vendimi, duke thënë se, nëse ai nuk do të ishte marrë, mund të kishte pasur edhe situata të jashtëzakonshme.
“Për mua është në pyetje pse është pritur në minutën e fundit. Po sikur të mos ish marrë ky vendim, me siguri që do të kishte edhe situata të jashtëzakonshme që nuk mund t’i elaboroj tash”, deklaroi Aliti.


