Rrjedhat e naftës nga vendet e Gjirit, duke përjashtuar Iranin, u rritën në shtator në mbi 81% të niveleve para luftës, pavarësisht sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe përshkallëzimit të tensioneve në rajon.
Sipas të dhënave të Vortexa, eksportet e naftës bruto, kondensatit dhe karburanteve të përpunuara nga Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Omani, Bahreini, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën mesatarisht 19.2 milionë fuçi në ditë, kundrejt rreth 23.6 milionë fuçive në ditë para nisjes së luftës më 28 shkurt.
Të dhënat e Kpler tregojnë se eksportet totale të naftës në shtator ishin rreth 18.6 milionë fuçi në ditë. Ndërkohë, rrjedhat e naftës bruto dhe kondensatit u rikuperuan në 91% të niveleve para luftës, ndërsa eksportet e karburanteve të përpunuara, përfshirë gazin e lëngshëm të naftës, mbetën në vetëm 60%.
Rënia e eksporteve të karburanteve ka shtuar mungesat globale të naftës dhe karburantit për avionë, duke ndikuar në rritjen e çmimeve në disa tregje. Lindja e Mesme është një nga furnizuesit kryesorë të këtyre produkteve, ndaj çdo ndërprerje në rajon ka pasoja për konsumatorët në mbarë botën.
Rikuperimi u drejtua kryesisht nga Arabia Saudite, eksportet e së cilës u rritën me rreth 4.2 milionë fuçi në ditë nga gushti, duke arritur në 6.6 milionë fuçi në shtator. Rritja kompensoi edhe rënien e eksporteve nga vende të tjera të Gjirit.
Ndërkohë, eksportet iraniane ranë në zero, si pasojë e bllokadës amerikane. Përballë sulmeve ndaj infrastrukturës dhe transportit detar, disa prodhues të Gjirit kanë përdorur edhe transportet e fshehta, duke fikur sistemet e gjurmimit të tankerëve për të shmangur zbulimin.
Analistët paralajmërojnë se rrjedhat ditore janë tashmë shumë më të paqëndrueshme se para luftës. Sipas saj, pyetja kryesore është nëse nivelet e fundit të eksporteve do të mund të ruhen në vazhdim.


