Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) e kanë lëshuar seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, pas përplasjeve mes deputetit të kësaj partie, Arian Tahiri, dhe kryesueses së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
I vetmi deputet i PDK-së që ka qëndruar në sallë është Rrustem Mustafa – Remi.
Përplasja ka ndodhur pasi deputeti Arian Tahiri ka parashtruar një mocion procedural për shmangien nga afatet e përcaktuara, duke propozuar që amendamentet në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30.
Tahiri ka propozuar që Komisioni ta shqyrtojë projektligjin deri në orën 15:30, ndërsa komisionet e përhershme ta shqyrtojnë atë deri në orën 16:30 dhe më pas raporti t’i kthehet Komisionit Funksional për Legjislacion, i cili deri në orën 17:00 do t’ia paraqiste Kuvendit raportin për shqyrtim të dytë.
Ai ka kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të votohen sot, në orën 17:30.
Advertisement
Pas fjalës së Tahirit, ka reaguar kryesuesja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Pas takimit ndërmjet kryetarëve mund të vijmë në dakordim për çështjen në fjalë. Nuk e kuptoj si ka mundësi që pa kaluar pak orë vini e ndryshoni qëndrimin. Është shumë e rëndësishme që të jemi bashkë dhe t’i japim vendit President. Prandaj ju ftoj që të takoheni, të merreni vesh dhe të vini në seancë. Nuk mund ta çojmë vendin në zgjedhje për shkak të Presidentit”, ka deklaruar Haxhiu.


