SHBA-ja vendos sanksione të reja që shënjestrojnë sektorin hekurudhor dhe atë automobilistik të Iranit

SHBA-ja të enjten njoftoi një raund të ri sanksionesh ndaj Iranit, duke shënjestruar sektorin hekurudhor dhe atë automobilistik, si dhe një rrjet të dyshuar të “bankave në hije” të lidhur me Rusinë, sipas Departamentit të Thesarit, transmeton Anadolu.

“Veprimi i sotëm shënjestron drejtpërdrejt mundësuesit e Iranit dhe hedh bazat që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë t’ia thajnë regjimit të ardhurat një herë e përgjithmonë”, tha në një deklaratë Sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

Agjencia vendosi sanksione ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të automjeteve në Iran, Iran Khodro dhe SAIPA, së bashku me disa filiale të tyre, si dhe ndaj kompanisë shtetërore Hekurudhat e Republikës Islamike të Iranit dhe dy kompanive të tjera hekurudhore.

Departamenti i Thesarit gjithashtu shtoi sektorin automobilistik dhe atë hekurudhor të Iranit në përcaktimet e tij për sanksionet sektoriale, duke i mundësuar të shënjestrojë çdo subjekt apo individ që operon në këta sektorë.

Departamenti i Thesarit veçmas e cilësoi Rrjetin A7 si “organizatë kriminale të rëndësishme transnacionale”, duke thënë se rrjeti i lidhur me Rusinë është përdorur nga Irani për t’iu shmangur sanksioneve dhe se ka përpunuar më shumë se 17 miliardë dollarë përmes “nënagjentëve” të tij nga janari 2025 deri në qershor 2026.