Rusia i dërgon një paralajmërim bërthamor NATO-s

Rusia e ka paralajmëruar NATO-n se do të ishte e gatshme të përdorte armë bërthamore nëse aleanca perëndimore do të përpiqej të shkëpuste Kaliningradin, një eksklavë ruse që kufizohet me Detin Baltik.

Në një dokument të dërguar NATO-s dhe të parë nga agjencia Reuters, Moska e akuzoi aleancën për një “kurs të rrezikshëm dhe të pamatur”, i cili mbartte “rreziqe të larta për shpërthimin e një konflikti të drejtpërdrejtë të armatosur”.

Dokumenti theksonte se kjo përfshinte mundësinë e “goditjeve ruse kundër qendrave vendimmarrëse në shtetet anëtare të aleancës, që në fazat e para”.

“Rusia do të jetë e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion të saj, përfshirë armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj nëse vendet e NATO-s ndërmarrin ndonjë përpjekje për të izoluar rajonin e Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit,” thuhej në notën diplomatike.

Në një përgjigje me shkrim, të parë nga Reuters, NATO deklaroi se është një aleancë mbrojtëse, e përkushtuar për të kundërshtuar kërcënimet ndaj anëtarëve të saj nga të gjitha drejtimet.

“Asnjë nga stërvitjet apo aktivitetet e NATO-s nuk përbën kërcënim për territorin e Federatës Ruse,” thuhej në deklaratë.

“Ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse t’i japë fund pushtimit të saj të paprovokuar dhe në shkallë të plotë të Ukrainës. Ne i kërkojmë Federatës Ruse të heqë dorë nga sjellja gjithnjë e më e pamatur ndaj aleatëve dhe të ndalojë retorikën e saj të papërgjegjshme bërthamore.”