Mustafa jep sinjale për ligjin e Speciales: Mund të kryhet edhe para 6 tetorit, Kurti ka dhënë shenja pozitive

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa, ka deklaruar se beson se çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara mund të kryhet edhe para 6 tetorit.

“Ne duhet të vazhdojmë procedimin e ligjit për të cilin jemi marrë vesh dhe që tani është në qeveri, në tavolinën e zotit Kurti. Prioritet në vendin tonë është t’i përgjigjemi sulmit të orkestruar të bllokut të keq mbi mekanizmat dhe institucionet e vendit tonë. Unë e di që mund të bëhet edhe para datës gjashtë, edhe kryeministri po ashtu u shpreh”, deklaroi Mustafa.

Tutje, Mustafa u pyet nëse ka sinjale positive nga kryeministri lidhur me këtë, dhe ai pohoi se ka sinjale pozitive.

Ndër të tjera, Mustafa foli lidhur me një takim që e kishte pasur me kryeministrin Albin Kurti, para 16 shtatorit.

“Komunikimi që kam pasur me zotin Kurti ka qenë para 16 shtatorit. Ka qenë i mirë, gjë që kemi folur për bashkëpunimin institucional mes Partisë Demokratike dhe Vetëvendosjes dhe unë e di që ka mundësi të shumta”, deklaroi më tej Mustafa në Tëvë1.

Mustafa tha se shpresë i jep miratimi i deklaratës së përbashkët lidhur me aktgjykimin dënues në Hagë.