Trump pret që bisedimet SHBA-Iran të rifillojnë këtë javë, pavarësisht refuzimit të planit për armëpushim

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se pret që bisedimet me Iranin të rifillojnë gjatë javës në vijim, pavarësisht se e hodhi poshtë propozimin për armëpushim të paraqitur nga Teherani.

Zyrtarët iranianë sollën me vete në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork një plan për një armëpushim shtatë-ditor, të pasuar nga rihapja e kanalit detar të ngushticës së Hormuzit.

Trump e hodhi poshtë planin dhe ka shqyrtuar mundësinë e rifillimit të sulmeve ajrore në shkallë të gjerë ndaj objektivave iraniane, por i tha platformës së lajmeve Axios se pret që negociatat të rifillojnë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Ata duan të arrijnë një marrëveshje, por nuk është marrëveshja që unë dua të bëj”, i tha Trump-i Axios-it. “Është ajo për të cilën ndoshta do të kishim rënë dakord një vit më parë”.

“Ata e mbivlerësuan pozitën e tyre”, tha Trump në intervistën e publikuar të dielën.

Duke cituar burime të njohura me çështjen, Axios raportoi se bisedimet indirekte midis Uashingtonit dhe Teheranit mund të zhvillohen që të hënën.

Të dielën, Irani vazhdonte të këmbëngulte në kushtet e tij për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, duke e lënë frontin e Gjirit në konfliktin e Lindjes së Mesme në një gjendje ngërçi, ndërkohë që luftimet vazhdojnë me intensitet në Jemen.

Hormuzi është një pikë kyçe strategjike për furnizimet botërore me energji dhe tani qëndron në qendër të konfliktit midis Uashingtonit dhe Teheranit, i cili nisi gati shtatë muaj më parë kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një valë sulmesh kundër Iranit.

Plani i Iranit parashikonte ndërprerjen e të gjitha armiqësive në Lindjen e Mesme, përfshirë Libanin – sipas ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi – si dhe rikthimin te kushtet e një marrëveshjeje të mëparshme armëpushimi që kishte dështuar.

Ajo marrëveshje, e cila “u shemb” gjatë luftimeve për Hormuzin, kërkonte lirimin e aseteve iraniane të ngrira, heqjen e sanksioneve ndaj naftës iraniane dhe dhënien fund të bllokadës detare amerikane.

“Kushtet tona janë të qarta dhe çdo lëvizje drejt rihapjes së ngushticës së Hormuzit varet nga përmbushja e këtyre kushteve. Ne nuk do të tërhiqemi prej tyre”, tha Araghchi të dielën, sipas raportimit të transmetuesit shtetëror IRIB. “Ne kurrë nuk e kemi mbyllur derën për diplomacinë apo negociatat, por në të njëjtën kohë, kurrë nuk jemi tërhequr nga të drejtat tona”.

E ambasadori i Uashingtonit në OKB, Mike Waltz, akuzoi Teheranin se po kërkonte tepër në këmbim të një rikthimi në tryezën e negociatave.

“Mendoj se kjo ishte një përpjekje mjaft cinike për të hedhur në tryezë diçka që ata e dinin se ishte e papranueshme. Të kërkosh heqjen e bllokadës, të sanksioneve – sanksioneve ndërkombëtare – dhe qasjen në miliarda dollarë asete, vetëm sa për të biseduar”, tha ai për NBC News në një intervistë të transmetuar të dielën.

“Mendoj se është çështje logjike që presidenti nuk ka shumë besim këtë herë, pasi sapo e provuam pak muaj më parë”.

Siç kujtojnë mediat, Uashingtoni dhe Teherani nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor, që synonte t’i jepte fund luftës, të rihapte ngushticën dhe të niste bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit.

Por marrëveshja dështoi pak kohë më vonë, kur Irani qëlloi mbi anije tregtare në Hormuz, të cilat i akuzoi se kishin devijuar nga itinerari i miratuar përmes këtij kalimi ujor.

Irani kërkon që anijet të marrin autorizim përpara kalimit, duke përmendur arsye të sigurisë dhe sovranitetit.

Anijet që refuzojnë të zbatojnë rregullat bëhen rregullisht shënjestër sulmesh, ndërsa Shtetet e Bashkuara bombardojnë herë pas here zonat bregdetare iraniane si kundërpërgjigje.