Nga dialogu me Sofjen te një strategji e re e zgjerimit, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova dhe zëvendëskryeministri Bekim Sali kërkojnë një proces më të parashikueshëm, më të mbrojtur nga vetoja dhe me përfshirje më të drejtpërdrejtë të institucioneve evropiane.
Procesi i integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut mbetet i bllokuar mes reformave që kërkohen nga vendi dhe mosmarrëveshjeve politike me Bullgarinë. Në një moment kur Brukseli po shqyrton një qasje të re ndaj zgjerimit, nga Shkupi po shtohen kërkesat që rruga drejt BE-së të mos varet nga çështje dypalëshe dhe vetoja e një shteti anëtar.
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në takimin me eurodeputetin dhe raportuesin e përhershëm të Parlamentit Evropian për vendin, Thomas Waitz, në prani të ambasadorit të BE-së, Michalis Rokas, ka vënë në qendër pikërisht nevojën për zhbllokimin e procesit dhe forcimin e parimit të meritës në zgjerimin evropian.
Sipas kumtesës së lëshuar nga kabineti i Presidentes, në takim është diskutuar për integrimin evropian të vendit, mundësitë dhe kushtet për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit, si dhe për politikën e zgjerimit të BE-së në kushtet e kërcënimeve gjeopolitike dhe përdorimit të vetos. Siljanovska-Davkova ka përshëndetur përpjekjet e Waitz për një qasje objektive në raportimin për Maqedoninë e Veriut, veçanërisht qëndrimin e tij se çështjet dypalëshe duhet të ndahen nga procesi formal i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
VETOJA NUK DUHET TA BLLOKOJË PROCESIN
Në prag të raportit të Komisionit Evropian, bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime edhe për reformat e nevojshme në vetë procesin e zgjerimit, duke u nisur nga problemet e evidentuara deri më tani. Për Siljanovska-Davkovën, është e rëndësishme që dinamika e integrimit evropian të përshpejtohet dhe të mbrohet nga, siç është shprehur ajo, pengesat irracionale, ndërsa parimi i meritës të ketë mbrojtje më të fortë institucionale.
Presidentja i është referuar veçanërisht neneve 4(2) dhe 4(3) të Traktatit për Bashkimin Evropian, të cilat lidhen me respektimin e identitetit kombëtar, strukturave kushtetuese e politike, si dhe detyrimin e vendeve anëtare për bashkëpunim të sinqertë dhe për të mos cenuar objektivat e BE-së. Sipas saj, keqpërdorimi i vetos dhe kushtëzimet dypalëshe që lidhen me identitetin, historinë dhe gjuhën bien ndesh me këto parime. Siljanovska-Davkova ka rikujtuar gjithashtu kompromiset që vendi ka bërë gjatë dekadave të fundit në emër të integrimit evropian, duke theksuar se, pavarësisht tyre, Maqedonia e Veriut ende nuk ka arritur anëtarësimin dhe as nuk ka nisur negociatat.
Eurodeputeti Thomas Waitz ka shpjeguar se qasja e tij bazohet në neutralitet dhe përkushtim ndaj procesit, ndërsa ka pranuar se politika vazhdon të ketë ndikim të madh në procesin e zgjerimit. Ai e ka informuar presidenten për aktivitetet e ndërmarra lidhur me marrëdhëniet maqedono-bullgare dhe ka theksuar nevojën për hapa miqësorë nga të dyja palët. Në të njëjtën kohë, Waitz ka përcjellë mesazhin për vendosmërinë e Bashkimit Evropian për vazhdimin e politikës së zgjerimit.
DIALOGU ME SOFJEN DUHET TË KETË NJË PALË TË TRETË
Në të njëjtën linjë për nevojën e një procesi më të besueshëm është shprehur edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, i cili ndodhet në Nju-Jork në kuadër të delegacionit qeveritar për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Në një bisedë për MIA-n, Sali ka folur për pritjet nga strategjia e re e zgjerimit të BE-së dhe dialogun me Bullgarinë. Ai ka konfirmuar se pritet zyrtarizimi i strategjisë së re për zgjerim, në përputhje me propozimet e Francës dhe Gjermanisë për integrim gradual të vendeve kandidate, duke e vlerësuar këtë si një hap pozitiv Sipas Salit, dokumenti ende nuk është zyrtarizuar, por është mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe është duke u diskutuar edhe me vendet e tjera anëtare. Ai pret që dokumenti të miratohet dhe të kontribuojë në përshpejtimin e procesit të eurointegrimit.
Sali ka mbështetur edhe nismën e kryeministrit Hristijan Mickoski që në dialogun me Bullgarinë të përfshihet një palë e tretë. “Komunikimi me Sofjen mungon në këtë kohë, por në një moment të caktuar ai duhet të zhvillohet me praninë e një udhëheqësi të një vendi-anëtar ose zyrtarëve nga Komisioni Evropian apo Këshilli Evropian”, ka deklaruar Sali. Sipas tij, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, komunikimet duhet të jenë të besueshme dhe të konfirmuara nga një palë e tretë.
REFORMAT MBETEN PJESË E AGJENDËS
Përveç çështjes me Bullgarinë, Sali ka theksuar se në takimet në Nju-Jork delegacioni maqedonas ka prezantuar prioritetet e vendit dhe përkushtimin për anëtarësim të plotë në BE. Ai ka përmendur gjithashtu përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit me SHBA-në, si dhe zbatimin e agjendës reformuese në përputhje me Planin e Rritjes dhe udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, menaxhimin e administratës publike dhe planin aksional për pakicat.
Kështu, mesazhet nga Shkupi drejtohen në dy fronte: nga njëra anë kërkohet një mekanizëm më i mbrojtur i procesit evropian nga kushtëzimet dypalëshe, ndërsa nga ana tjetër qeveria thekson se reformat dhe përmbushja e detyrimeve të vendit mbeten pjesë e rrugës drejt BE-së. Në qendër mbetet pyetja se si do të zhbllokohet procesi: përmes dialogut dypalësh Shkup-Sofje apo me një rol më të drejtpërdrejtë të Brukselit në tryezën e bisedimeve.


