Ekonomia evropiane për shkak të nxehtësisë ka humbur 113 miliardë euro

Vala e të nxehtit e kësaj vere e ka ulur bruto produktin vendor të Evropës për 113 miliardë euro, sipas një vlerësimi nga kompania e sigurimeve “Alianc” (Allianz).

Gjermania, me humbje të vlerësuara prej 25 miliardë eurosh, është në vendin e dytë pas Italisë, ku dëmi vlerësohet në 28 miliardë, bëri të ditur kompania me seli në Munih, raporton DPA.

Franca është në vendin e tretë, ku BPV-ja është 20 miliardë euro më e ulët.

Humbjet ekonomike përfshijnë ndërprerjet e prodhimit dhe vlerën e shtuar më të ulët, të shkaktuara nga produktiviteti i dobët, pushimet më të gjata dhe mungesat nga puna.

Kur llogaritet gjithçka, humbjet në të gjithë Evropën mund të arrijnë në pothuajse gjysmë pë qind të BPV-së së përgjithshme vjetore.

Llogaritja e parë e “Indeksit të rrezikut klimatik” përfshinte ekspertë nga kompania ndërkombëtare e sigurimeve të kreditit Alianc trejd nga Hamburgu dhe kompania gjermane e sigurimeve të pronës Alianc.

Llogaritja bazohet në të dhënat e motit dhe dëmeve, si dhe në modelimin e pasojave të pritura ekonomike.

Përveç humbjeve të shkaktuara nga valët e të nxehtit, llogariten edhe dëmet nga stuhitë, përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore. Për Gjermaninë, Alianc i vlerësoi ato në 50 miliardë euro në pesë vitet e fundit.

Dëmet vjetore, sipas këtyre të dhënave, ishin mesatarisht dy herë më të larta se në periudhën krahasuese nga viti 2000 deri në vitin 2019. Megjithatë, në mbarë botën, dëmet nga fatkeqësitë natyrore, sipas Alianc, u rritën me pak më shumë se gjysmën, ose 54 për qind.

Një nga shkaqet kryesore është ajo që Evropa ka qenë më e nxehtë më shumë se kontinentet tjera. Në maje të listës të vendeve të prekura është Norvegjia.