Bashkimi Evropian po i ndjek me shqetësim planet e paralajmëruara të Shteteve të Bashkuara për ndalimin e eksportit të naftës dizel, përfshirë edhe eksportin drejt BE-së, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill.
“Bashkëpunimi mes BE-së dhe SHBA-së në fushën e energjisë është i fortë, i qëndrueshëm dhe me përfitim të ndërsjellë. Çdo ndërprerje mund të ndikojë negativisht te të dyja palët”, tha Gill, duke shtuar se BE-ja pret që “partnerët e afërt të konsultohen me njëri-tjetrin para marrjes së masave që ndikojnë në tregjet e përbashkëta”.
Bashkimi Evropian është një importues i madh i naftës dizel nga SHBA-ja, prej nga siguron rreth gjysmën e konsumit të tij.
Gill tha se janë duke u zhvilluar kontakte të nivelit të lartë mes përfaqësuesve të BE-së dhe administratës amerikane.
Zëdhënësja për çështjet e energjisë, Anna-Kaisa Itkonen, tha se Komisioni po e monitoron nga afër situatën në tregje, duke theksuar se “aktualisht nuk ka mungesë të naftës dizel në Bashkimin Evropian”.
Sipas raportimeve të mediave, administrata e Trumpit po përgatit një plan për ndalimin e eksportit të naftës dizel për një periudhë prej 90 ditësh, në përpjekje për të ulur çmimet e energjisë, të cilat paraqesin barrë për republikanët para zgjedhjeve të mesmandatit. Megjithatë, sipas të njëjtave raportime, brenda vetë administratës ka ndarje lidhur me këtë çështje.
Kundër ndalimit të eksportit të naftës dizel janë edhe prodhuesit amerikanë, të cilët frikësohen se përfitimet afatshkurtra mund të anulohen nga çmimet më të larta të karburanteve në të ardhmen.


