MPB-ja përfshihet në kontrollet e pushimeve mjekësore: Nuk ka më “pushime mjekësore” në plazhet e Greqisë

Ministria e Punëve të Brendshme do të përfshihet në luftën kundër keqpërdorimit të pushimeve mjekësore, ka paralajmëruar ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Ai vlerësoi se bëhet fjalë për një problem serioz, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, por theksoi se gjatë kontrolleve duhet të respektohen edhe të drejtat e njeriut.

Paralajmërimi vjen në një periudhë kur Fondi për Sigurim Shëndetësor po përgatit rregulla më të rrepta për përdorimin e pushimeve mjekësore.

Ndër propozimet është që mjekët amë të kenë mundësi të hapin në mënyrë të pavarur pushim mjekësor deri në pesë ditë, në vend të shtatë ditëve sa është aktualisht. Gjithashtu parashikohet kontroll më i madh elektronik, si dhe mundësia e kontrolleve të personave të siguruar gjatë kohës që janë në pushim mjekësor.

Se ka keqpërdorime kanë treguar edhe kontrollet e mëparshme në vetë MPB-në. Me kërkesë të Ministrisë, Fondi për Sigurim Shëndetësor gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025 ka kontrolluar 80 të punësuar, të cilët në total kishin 514 pushime mjekësore.

Parregullsi janë konstatuar te 29 persona, ose rreth 37 për qind e të punësuarve të kontrolluar.

Nga gjithsej 514 pushime mjekësore të kontrolluara, 100 janë vlerësuar si të lëshuara në mënyrë të parregullt.

Në kuadër të kontrolleve janë përfshirë edhe 105 institucione private shëndetësore, ndërsa parregullsi janë konstatuar edhe te disa mjekë dhe komisione mjekësore.

Fondi për Sigurim Shëndetësor më herët si shembuj të përdorimit të dyshimtë të pushimeve mjekësore kishte përmendur raste kur të punësuarit ndryshonin mjekun amë ose përdornin pushime mjekësore të njëpasnjëshme me diagnoza të ndryshme.

Propozimet për kontrolle më të rrepta kanë shkaktuar reagime në opinion, veçanërisht lidhur me mundësinë e kontrolleve në shtëpitë e personave që janë në pushim mjekësor, si dhe me shkurtimin e periudhës gjatë së cilës mjeku amë mund të hapë në mënyrë të pavarur pushim mjekësor.

Për momentin, bëhet fjalë për ndryshime të paralajmëruara dhe jo për rregulla që tashmë kanë hyrë në fuqi.