Sipas gazetës spanjolle ABC, operacioni i autoriteteve spanjolle ka çuar në sekuestrimin e afro 2.100 kilogramëve kokainë dhe arrestimin e katër personave në det. Në ekuipazh kishte shtetas nga Argjentina, Uruguai, Kolumbia dhe Shqipëria.
Operacioni, i koduar “Doncella”, u zhvillua nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Doganore në bashkëpunim me autoritete ndërkombëtare. Kokaina ishte ndarë në 70 pako, të cilat u gjetën në bordin e velierës.
Sipas hetuesve, shqiptari kishte një rol të veçantë në operacion. Ai dyshohet se shërbente si një lloj “noteri” për organizatat kriminale që do të merrnin ngarkesën, duke mbikëqyrur që transporti të zhvillohej sipas planit.
Hetimi kishte nisur në shkurt, pasi autoritetet morën informacione se një velierë mund të ishte përdorur për transport droge mes Spanjës dhe Francës.
Bëhej fjalë për një velierë tip “sloop”, me flamur polak, e gjatë rreth 13 deri në 15 metra. Anija u identifikua në portin e Roses, në provincën e Geronës, në muajin qershor.
Dyshimet u shtuan më tej në korrik, kur veliera u largua nga porti katalanas dhe çaktivizoi sistemin AIS të lokalizimit, pavarësisht se përdorimi i tij është i detyrueshëm gjatë lundrimit.
Pas humbjes së gjurmëve të saj, autoritetet spanjolle morën ndihmë nga agjenci ndërkombëtare, përfshirë NCA-në britanike dhe DEA-n amerikane.
Mëngjesin e 14 shtatorit, anija “Petrel I” e Shërbimit të Mbikëqyrjes Doganore arriti ta lokalizonte velierën rreth 400 milje larg brigjeve të Galicisë.
Kontrolli i mjetit lundrues zbuloi ngarkesën e madhe të kokainës. Katër anëtarët e ekuipazhit u arrestuan dhe veliera, droga dhe të ndaluarit u dërguan në portin e Vigos.
Por operacioni nuk u kufizua vetëm në det.
Ndërsa veliera po tërhiqej drejt Spanjës, autoritetet arrestuan në tokë edhe një shtetas kilian, banues në provincën e Geronës. Sipas hetuesve, ai dyshohet se merrej me gjetjen e mjeteve lundruese të përshtatshme për organizatat kriminale.
Autoritetet spanjolle presin edhe arrestime të tjera. Në fokus është edhe një shtetas spanjoll që dyshohet se kishte rol në ruajtjen e mjeteve lundruese dhe monitorimin e lëvizjeve të autoriteteve.
Hetimi, i drejtuar nga Gjykata Kombëtare spanjolle, ka nxjerrë në pah një mënyrë të organizuar të transportit të kokainës me veliera rekreative. Sipas hetuesve, grupi nuk vepronte vetëm për një organizatë, por u ofronte shërbimet e tij grupeve kriminale të Evropës Lindore dhe Ballkanit.
Operacioni është zhvilluar me mbështetjen e strukturave spanjolle dhe ndërkombëtare, përfshirë CITCO-n, autoritetet doganore franceze dhe MAOC-M.
Për autoritetet spanjolle, hetimi po sjell në dritë një rrjet të specializuar në sigurimin e mjeteve lundruese për trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe lidhjet e tij me organizata kriminale të Evropës Lindore dhe Ballkanit.


