Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka deklaruar se gjatë dy viteve të qeverisjes, VLEN ka realizuar më shumë projekte sesa BDI gjatë 20 viteve të qëndrimit në pushtet.
I ftuar në emisionin “Verdict” në TVM2, Kasami tha se gjatë kësaj periudhe të shkurtër janë ndërmarrë iniciativa dhe janë ofruar zgjidhje për çështje që sipas tij, “BDI nuk ka ditur ose nuk ka arritur t’i realizojë gjatë qeverisjes së saj”.
Duke folur për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve në institucione, Kasami theksoi se BDI për dy dekada e kishte mbështetur këtë mekanizëm përmes balancuesit, por pa arritur ta rregullojë atë me ligj.
“Ne e dimë se pjesë e Marrëveshjes së Ohrit ka qenë përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucione. BDI për 20 vite arriti ta realizojë këtë përfaqësim përmes balancuesit, por nuk ishte zgjidhje me ligj. Si rezultat i kësaj, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë mekanizëm dhe ne veçmë kemi në procedurë parlamentare zgjidhjen ligjore”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se VLEN vlerëson se zgjidhja ligjore është mënyra më e mirë për të garantuar përfaqësimin adekuat, duke u bërë thirrje deputetëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të komuniteteve të tjera që ta mbështesin atë.
“Sa do që të pretendojë BDI se nuk është zgjidhja më e mirë, ne vlerësojmë se është zgjidhja më e mirë, pra ofrojmë zgjidhje ligjore. Ju bëj ftesë të gjithë deputetëve shqiptarë dhe komuniteteve të tjera, sepse është zgjidhje për të gjitha komunitetet, që të tejkalojnë dallimet politike dhe të përkrahin këtë ligj në Kuvend”, tha Kasami.
Duke folur në emisionin “Verdict” në TVM2, Kasami tha se VLEN e ka përkrahur Ligjin për Gjuhët përmes deputetëve të saj, por theksoi se ky ligj nuk nënkupton zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe.
“Prandaj ne kemi përkrahur këtë ligj me deputetët tanë. Nuk themi se nuk është avancim, por nuk është zyrtarizim, sepse zyrtarizimi bëhet me Kushtetutë. Pra, aty ku përmendet gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, duhet të përmendet edhe gjuha shqipe dhe alfabeti latin”, deklaroi Kasami.
Ai e cilësoi si kontradiktor qëndrimin e BDI-së lidhur me provimin e jurisprudencës, duke thënë se kërkesat e kësaj partie për mbajtjen e pjesës praktike të provimit në gjuhën shqipe nuk përputhen, sipas tij, “me zgjidhjen aktuale ligjore”.
Sipas Kasamit, Ligji për gjuhët nuk e zyrtarizon plotësisht gjuhën shqipe, ndaj ai kërkon që çështja të rregullohet në nivel kushtetues.
“Nëse BDI do ta kishte rregulluar në Kushtetutë çështjen e gjuhës shqipe, kjo do të nënkuptonte që provimi i jurisprudencës të jetë në të gjitha fushat edhe në gjuhën shqipe”, tha Kasami.
Kasami bëri të ditur se rruga Shkup–Prishtinë tashmë është në fazën e realizimit, ndërsa për projektin e rrugës Tetovë–Prizren janë në fazë të avancuar të bisedimeve.
“Me kryeministrin Albin Kurti kemi një komunikim shumë më të afërt, me çka kemi realizuar shumë projekte. Rruga Shkup–Prishtinë veçmë është në realizim e sipër, jemi në fazën e avancuar të bisedimeve për rrugën Tetovë–Prizren”, deklaroi Kasami.
Ai theksoi se bashkëpunimi me Kosovën nuk kufizohet vetëm në infrastrukturë, por përfshin edhe projekte në fushën e energjetikës, me synim rritjen e sigurisë energjetike dhe lidhjen më të mirë mes dy vendeve.
Sipas Kasamit, në këtë drejtim janë zhvilluar komunikime për furnizimin me thëngjill të kapaciteteve termoenergjetike, ndërtimin e largpërçuesit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, si dhe projektin e linjës së gazit që do të lidhë edhe Kosovën.
“Ajo që u bë dje me Shqipërinë, me Kosovën është realizuar shumë më herët. Realizimi i projekteve në fusha të ndryshme, komunikimi në rrafshin e energjetikës ka qenë të kemi siguri energjetike me thëngjillin për kapacitetet tona termoenergjetike, komunikim të avancuar në ndërtimin e largpërçuesit mes Maqedonisë dhe Kosovës, linjën e gazit që do të lidhë edhe Kosovën në projektin. Dje treguam se 22 Nëntori nuk është vetëm një festë simbolike e Alfabetit që na bashkon, por na bashkoi me projekte konkrete në shërbim të të gjithë qytetarëve”, tha Kasami.


