CNN, MS NOW dhe Politico padisin administratën Trump për ndalimin nga Shtëpia e Bardhë

CNN, MS NOW dhe Politico kanë njoftuar se do të padisin administratën e presidentit Donald Trump, pasi gazetarëve të tyre u është hequr aksesi në Shtëpinë e Bardhë.

Tre mediat kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen Gjykatës Federale në Uashington, duke argumentuar se vendimi shkel të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së dhe cenon lirinë e shtypit.

Sipas draftit të padisë, akreditimet e gazetarëve janë revokuar pa njoftim dhe pa një proces të rregullt ligjor. Mediat pretendojnë se vendimi është marrë për shkak të raportimeve që administrata i ka konsideruar negative.

Përplasja vjen pasi Trump deklaroi se nuk kishte pse t’i lejonte disa media të hynin në Shtëpinë e Bardhë, duke kritikuar raportimet e tyre. Tre organizatat mediatike thonë se kufizimi i aksesit dëmton jo vetëm gazetarët dhe mediat e përfshira, por edhe të drejtën e publikut për të marrë informacion të pavarur mbi aktivitetin e qeverisë.

Çështja pritet të shqyrtohet nga një gjykatë federale në Uashington. Mediat kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të akreditimeve dhe aksesit të gazetarëve të tyre në Shtëpinë e Bardhë.

Përplasja rikthen në vëmendje debatet ligjore mbi kufizimin e aksesit të medias në Shtëpinë e Bardhë. Në raste të mëparshme, gjykatat amerikane kanë shqyrtuar vendime të ngjashme që lidhen me akreditimet e gazetarëve dhe lirinë e shtypit.