Shasivari – Milaniq: Thellimi i bashkëpunimit me Malin e Zi në reformat dhe integrimin evropian

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, priti në takim pune  ambasadorin e Malit të Zi në Maqedoninë e Veriut, Zoran Milaniq, ku u shqyrtuan  mundësitë për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit  bilateral në fushën e gjyqësorit, sundimit të së drejtës  dhe integrimit evropian.

Në takim u theksua niveli i lartë i bashkëpunimit  mes dy vendeve, forcimi i sundimit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe avancimit të transparencës dhe digjitalizimit të gjyqësorit.

Përvoja e Malit të Zi tregon se integrimi evropian nuk është slogan politik. Ai është një proces që matet përmes ligjeve evropiane, institucioneve funksionale dhe rezultateve konkrete dhe të verifikueshme.

Veçanërisht në gjyqësor, standardet evropiane nuk janë vetëm çështje e harmonizimit të ligjeve. Ato dëshmohen përmes gjyqësorit të pavarur, luftës efikase kundër korrupsionit dhe zbatimit konsekuent të ligjeve.

Integrimi evropian ndërtohet me punë, reforma dhe rezultate.