Këshilli i Ambasadorëve: “Jo në emrin tonë”, kërkohet shqyrtim rigoroz në apel për rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës ka shprehur “shqetësim dhe indinjatë të thellë” pas vendimit në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në një reagim, Këshilli ka thënë se procesi gjyqësor që çoi në vendim duhet t’i nënshtrohet një shqyrtimi kritik, duke ngritur shqetësime lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit dhe procedurave, strukturën e Dhomave të Specializuara, si dhe përdorimin e konceptit të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” dhe provave rrethanore në përcaktimin e përgjegjësisë individuale.

Sipas Këshillit, këto çështje, të marra së bashku, ngrenë pikëpyetje mbi procesin e rregullt ligjor dhe proporcionalitetin.

“Këshilli nuk është i bindur se është përmbushur standardi i fajësisë përtej dyshimit të arsyeshëm”, thuhet në reagim.

Këshilli ka rikujtuar se Kosova pranoi krijimin e një mekanizmi të jashtëzakonshëm gjyqësor në emër të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, ndërsa ka shprehur zhgënjim me mënyrën se si, sipas tij, është zhvilluar procesi.

Në reagim është folur edhe për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, sipas Këshillit, u formua pas viteve të shtypjes, persekutimit dhe dhunës ndaj popullit të Kosovës.

“Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë atë histori apo ta zbehë legjitimitetin e luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhet më tej.

Këshilli ka kundërshtuar gjithashtu formulimin se vendimi është shpallur “në emër të popullit të Kosovës”, duke përdorur shprehjen: “Jo në emrin tonë”.

Në fund, Këshilli i Ambasadorëve ka bërë thirrje për një shqyrtim rigoroz në apel të arsyetimit ligjor dhe standardeve të provave të aplikuara në këtë rast.

Po ashtu, u është bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë me qetësi, dinjitet dhe përmbajtje, duke theksuar se çdo reagim duhet të jetë paqësor dhe në përputhje me vlerat demokratike të Republikës së Kosovës.

“Ne qëndrojmë krah për krah me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, si dhe me familjet e tyre.

Kosova ka kërkuar drejtësi, e ka mbështetur atë dhe ka bërë sakrifica të jashtëzakonshme në emër të saj. Ajo që kërkojmë sot është që drejtësia të jetë në lartësinë e atij përkushtimi”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv