EVN Maqedoni dhe Rade Konçar-TEP partnerë në përfshirjen e nxënësve me aftësi të kufizuara

EVN Maqedoni dhe Rade Konçar-TEP po e thellojnë bashkëpunimin e tyre të orientuar drejt mbështetjes së përfshirjes së nxënësve me aftësi të kufizuara, si pjesë e angazhimeve për një veprimtari të përgjegjshme shoqërore, mundësi të barabarta dhe zhvillim të qëndrueshëm, në përputhje me parimet ESG. Për këtë qëllim, në ambientet e Rade Konçar-TEP u mbajt një ngjarje me moton „Partneritete për përfshirje: Nga angazhimet ESG drejt aktiviteteve konkrete“, ku u prezantuan rezultatet e përbashkëta të partneritetit të deritanishëm të dy kompanive. Në kuadër të bashkëpunimit, Rade Konçar-TEP do të punësojë nxënës me aftësi të kufizuara, të cilët do të angazhohen në prodhim për nevojat e EVN Maqedonisë.

Në ngjarje morën pjesë ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, Drejtori i Përgjithshëm i Rade Konçar-TEP, mr. Goran Antevski, Kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedonisë, z. Vollfgang Maier, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe kompanive.

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, znj. Sanja Bozhinovska, e përshëndeti projektin dhe theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që kompanitë, përmes aktiviteteve konkrete, krijojnë mundësi për përfshirje më të madhe dhe pjesëmarrje të barabartë të të rinjve në shoqëri dhe në mjedisin e punës. Ajo theksoi se partneritete të tilla duhet të jenë shembull pozitiv dhe nxitje për projektet e ardhshme, në të cilat përgjegjësia shoqërore do të shndërrohet në rezultate konkrete dhe të qëndrueshme.

„Më gëzon veçanërisht fakti që sot jemi dëshmitarë të një projekti që tregon se përfshirja mund të jetë pjesë përbërëse e proceseve reale të biznesit. Iniciativa të tilla janë shembull i drejtimit në të cilin duhet të zhvillohen partneritetet e ardhshme. Shpresoj që në periudhën e ardhshme të ketë përfshirje edhe më të madhe të kompanive dhe institucioneve dhe të shohim më shumë projekte që krijojnë mundësi konkrete për të rinjtë“, theksoi ministrja Bozhinovska.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, EVN Maqedoni realizoi projektin „EVN për mjedisin“, përmes të cilit edukimin mjedisor e ndërlidhi me diversitetin, barazinë dhe përfshirjen. Në projekt morën pjesë nxënës nga 10 shkolla të specializuara dhe qendra burimore në mbarë vendin, të cilët përmes aktiviteteve edukative dhe kreative krijuan vepra artistike me mesazhe për mbrojtjen e mjedisit. Si rezultat i projektit, tre institucione morën donacione në përputhje me nevojat e tyre konkrete arsimore.

Gjatë ngjarjes, fjalim mbajti Kryetari i Bordit Drejtues të EVN Maqedonisë, z. Vollfgang Maier.

„Vlera e kësaj iniciative qëndron në krijimin e mundësisë që njohuritë dhe aftësitë të zbatohen në një mjedis real pune. Si sektor i biznesit, mund të kontribuojmë jo vetëm me mbështetje financiare, por edhe duke krijuar mundësi reale punësimi dhe duke i përfshirë njerëzit në procese në të cilat mund të japin kontributin e tyre. Përmes partneritetit me Rade Konçar-TEP, krijojmë mundësi për përfshirje të drejtpërdrejtë në procesin e punës, ku nxënësit do të angazhohen në prodhim për nevojat e EVN Maqedoni.“ tha z. Maier.

Ngjarjen e hapi Drejtori i Përgjithshëm i Rade Konçar-TEP, mr. Goran Antevski, i cili në fjalën e tij hyrëse falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbështetjen, si dhe EVN Maqedoninë për bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm dhe realizimin e përbashkët të projektit.

Ai theksoi se Rade Konçar-TEP është veçanërisht e kënaqur që është pjesë e një iniciative e cila, krahas bashkëpunimit afarist, krijon edhe vlerë konkrete shoqërore. Sipas tij, ky projekt përfaqëson vetëm fillimin e një bashkëpunimi më të gjerë, në kuadër të të cilit të dyja kompanitë mund të zhvillojnë së bashku projekte të reja, më cilësore dhe më të qëndrueshme.

„Për ne, një partneritet i suksesshëm nuk matet vetëm përmes rezultateve të biznesit, por edhe përmes vlerës që krijojmë së bashku për shoqërinë. Jemi mirënjohës ndaj EVN Maqedoni për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, ndërsa veçanërisht na gëzon fakti që ky partneritet sot merr edhe një dimension të tillë të rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës. Besoj se ky është vetëm fillimi dhe se në të ardhmen do të vazhdojmë me bashkëpunim edhe më intensiv, ide dhe projekte të reja, përmes të cilave së bashku do të krijojmë mundësi reale për të rinjtë dhe ndryshime pozitive në komunitet“, theksoi z. Goran Antevski.

Në vazhdim të ngjarjes, përmes prezantimeve të përbashkëta të EVN Maqedoni dhe Rade Konçar-TEP, u prezantuan dhe promovuan aktivitetet, rezultatet dhe objektivat e projektit. Përmes prezantimeve u paraqit zhvillimi i deritanishëm i bashkëpunimit, si dhe aspekti praktik i iniciativës dhe mundësitë që ajo krijon për përfshirjen e të rinjve në një mjedis real pune.

Partneriteti ndërmjet EVN Maqedoni dhe Rade Konçar-TEP tregon se përfshirja mund të shndërrohet në mundësi konkrete për fitimin e përvojës së punës, zhvillimin e aftësive dhe përfshirjen e të rinjve në një mjedis real pune. Në këtë mënyrë, krijimi i mundësive të barabarta merr zbatim konkret dhe të qëndrueshëm.