Kryesia dhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë mbajtur sot një mbledhje, ku kanë diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë.
“PDK-ja sot ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte. Është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Një vendim i një gjykate, e cila e ka devijuar komplet drejtimin e saj në raport me atë se çka është votuar në Kuvend”, u shpreh Hamza.
Ai tha se PDK-ja do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme për komunikim me subjektet e tjera politike, duke e cilësuar situatën si të ndjeshme dhe serioze.
“PDK-ja do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen, shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës”, tha Hamza.
Ai shtoi se beson se do të takohet me liderët e të gjitha subjekteve politike, pasi, sipas tij, kjo nuk është më një çështje që i takon vetëm një partie politike.


