Miratimi i Kodit zgjedhor nga ana e të gjitha partive politike ende është në fazë të negociatave. Pas ndryshimit në Ministrinë e Drejtësisë, ka përpjekje për miratimin e këtij ligji, tha zëvendës kryetari i Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili sot iu përgjigjej pyetjeve të gazetarëve me temë integrimi evropian dhe reformat për vendin tonë.
“Ju e dini, ky ligj u pranua njëzëri nga disa faktorë politikë, të them partitë politike, të cilat janë pjesë e Kuvendit, por në momentin e fundit dy parti politike u tërhoqën, nuk i mbështetën këto ndryshime. Pas ndryshimit në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka përpjekje për të miratuar këtë ligj, mirëpo është ende në fazën e negociatave”, tha Sali.
I pyetur nëse po punohet edhe për Kodin Penal, zëvendës kryeministri Sali u përgjigj pozitivisht dhe tha se edhe ministri i ri i Drejtësisë është i përkushtuar edhe ndaj kësaj.
“Ministri i ri është i përkushtuar edhe ndaj Kodit Penal, kështu që besoj se këto janë ligje që kërkojnë konsensus dhe mbështetje më të gjerë nga më shumë nivele. Ministri po punon dhe shpresoj se do të ketë sukses në realizimin e qëllimit përfundimtar”, theksoi Sali para fillimit të takimit ndërrajonal të kryenegociatorëve dhe përfaqësuesve kompetentë për integrimin evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, si dhe nga Komisioni Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë.


