Mendi Qyra si Ramiz Merko: Shkarkoi drejtorin dhe emëroi zëvendësuesin pa plotësuar kushtet, i ngritet padi!

Policia e Strugës ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qyra, në cilësinë e kryetarit të komunës, në kundërshtim me Ligjin për arsimin fillor, ka marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të një shkolle fillore komunale dhe më pas ka emëruar një person tjetër si ushtrues detyre.

Policia pretendon se kryetari e ka bërë këtë edhe pse ishte në dijeni se personi i emëruar nuk i plotësonte në tërësi kushtet ligjore për ushtrimin e funksionit, të përcaktuara në nenin 118 të Ligjit për arsimin fillor.

Parregullsitë janë konstatuar edhe gjatë mbikëqyrjes inspektuese të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Kallëzimi penal ndaj Qyrës është ngritur sipas nenit 353 të Kodit Penal për veprën “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.