Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet seancën e sotme të Nënkomitetit për Evropën të Kongresit amerikan kushtuar politikës së Shteteve të Bashkuara dhe sfidave të sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Interesimi i vazhdueshëm amerikan për zhvillimet në rajon ka një rëndësi të veçantë edhe për Maqedoninë e Veriut.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër partnerët kryesorë të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, zbatimit të saj dhe konsolidimit të karakterit multietnik të shtetit. Po aq i rëndësishëm ka qenë angazhimi amerikan për orientimin euroatlantik dhe perspektivën evropiane të vendit.
Pikërisht në një periudhë kur shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi i drejtë, barazia gjuhësore dhe mekanizmat e bashkëvendimmarrjes po përballen me sfida serioze, vëmendja e Uashingtonit ndaj stabilitetit dhe të ardhmes euroatlantike të Ballkanit Perëndimor merr peshë të veçantë.
Për BDI-në, mesazhi mbetet i qartë: stabiliteti afatgjatë i Maqedonisë së Veriut mbështetet mbi respektimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe mbi vazhdimin e pakthyeshëm të rrugës drejt Bashkimit Evropian.
Partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara ka qenë vendimtar në momentet kyçe të vendit dhe mbetet garanci e rëndësishme për ruajtjen e arkitekturës së paqes, barazisë dhe orientimit euroatlantik.


