Rodrigo Hernández, i njohur si Rodri, ka zbuluar arsyet që e shtynë të zgjedhë Barcelonën, pavarësisht interesimit të fortë nga Real Madridi. Mesfushori spanjoll thotë se projekti sportiv i katalanasve dhe mënyra se si u afruan drejtuesit e klubit, veçanërisht Deco dhe Hansi Flick, ishin vendimtare në zgjedhjen e tij.
Rodri, 30 vjeç, është një prej afrimeve më të rëndësishme të Barcelonës këtë verë. Pas shtatë vitesh te Manchester City, mesfushori vendosi të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij dhe zgjodhi klubin katalanas, edhe pse në garë për të ishte edhe Real Madridi.
Në një intervistë të gjatë për “Mundo Deportivo”, Rodri ka rrëfyer se kalimi te Barcelona nuk ishte një vendim i marrë brenda natës, por rezultat i një procesi të gjatë reflektimi.
“Ka qenë më shumë një proces sesa një vendim. Fillimisht duhet të kuptosh se cikli yt ka përfunduar dhe se dëshiron një sfidë të re, një vend ku mund të vazhdosh të ndërtosh karrierën. I jam mirënjohës Manchester Cityt për gjithçka që më ka dhënë gjatë shtatë viteve të paharrueshme, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë futbollistik”, u shpreh Rodri.
Ai theksoi se kriteri kryesor për të ishte projekti sportiv dhe mundësia për të vazhduar të rritet si futbollist.
“Gjithmonë i kam bazuar vendimet e mia te aspekti sportiv, te vendi ku mendoj se mund të fitoj, të jem i lumtur dhe, mbi të gjitha, të rritem si lojtar. Për këtë arsye zgjodha Barcelonën, edhe për gjeneratën e lojtarëve që ka dhe për atë që Hansi Flick po ndërton”, tha spanjolli.
“T’i thuash jo Real Madridit nuk është e lehtë”
Rodri pranoi se zgjedhja nuk ishte aspak e thjeshtë, sidomos përballë interesimit të Real Madridit.
“Do të doja që ato dy apo tre javë pushime të kishin qenë të qeta, por nuk ishin aspak të tilla. Duhej të analizoja shumë gjëra dhe të merrja një vendim të rëndësishëm mes dy prej klubeve më të mira në botë”, rrëfeu ai.
“T’i thuash jo Madridit nuk është e lehtë. Sidomos sepse ata u sollën në mënyrë shembullore me mua. Në fund, Deco dhe Hansi më bindën”, shtoi Rodri.
Si e bindi Deco?
Mesfushori spanjoll tregoi edhe mënyrën se si drejtori sportiv Deco dhe drejtuesit e Barcelonës e bindën për të zgjedhur projektin katalanas.
“S’ka pasur në asnjë moment presion ndaj meje. Të gjithë shprehën dëshirën për të më pasur në ekip, për të punuar me mua dhe për atë që mund t’i sillja skuadrës. Më pëlqeu shumë mënyra se si më trajtuan dhe fakti që nuk kishin atë lloj ankthi për të më bindur”, tha ai.
Sipas Rodrit, Barcelona e bindi më shumë përmes projektit sportiv sesa përmes ofertave financiare.
“Ishte thjesht mënyra për të më transmetuar entuziazmin që kishin për t’iu bashkuar projektit të tyre dhe bindjen se kishin nevojë për një figurë si unë. Mbi të gjitha, më pëlqeu natyrshmëria me të cilën ma bënë të ditur. Ishte një ndjesi shumë familjare, një klub familjar, dhe kjo më tërhoqi shumë”, u shpreh ai.
Rodri mohoi gjithashtu se Barcelona e kishte përdorur interesimin për të si një mënyrë për t’i prishur planet Real Madridit.
“Nuk ishte çështje për të më bindur me shifra. Ishte më shumë një çështje futbolli, për atë që ata mendonin se mund të sillja brenda dhe jashtë fushës. Kjo më pëlqeu shumë”, tha mesfushori.
Rodri: “Jam përpjekur të qëndroj larg zhurmës mediatike”
I pyetur për raportimet se lidhja e tij me Enrique Riquelme mund të kishte ndikuar në qëndrimin e drejtuesve të Real Madridit, Rodri tha se nuk ishte marrë me këto zhvillime.
“Unë e kam jetuar gjithçka në mënyrë të shkëputur nga këto gjëra. Nëse nuk gaboj, kjo ndodhi gjatë Botërorit dhe unë isha i përqendruar te kombëtarja ime dhe te arritja e asaj që sot është suksesi më i madh i karrierës sime”, deklaroi ai.
Rodri foli gjithashtu për polemikat që pasuan ceremoninë e “Topit të Artë”, të cilin ai e fitoi.
“E kam thënë edhe atëherë, nuk më ndikoi. Ajo ishte dita ime dhe nuk kishte shumë kuptim të flitej për njerëz që nuk ishin aty dhe që nuk ishin pjesë e asaj ceremonie dhe atij momenti të bukur për mua dhe familjen time”, u shpreh ai.
“Ju që më njihni e dini se përpiqem të qëndroj larg këtyre gjërave, ashtu si edhe nga zhurma mediatike. Përqendrohem te futbolli. Në këtë aspekt jam shumë anglez. Premier League është futboll dhe asgjë më shumë”, përfundoi Rodri.


