Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas seancës së sotme, duke e konsideruar të konstituuar Kuvendin, pavarësisht se nuk është zgjedhur njëri prej nënkryetarëve që i takon PDK-së.
Kurti e ka cilësuar si pozitive konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke shprehur gatishmëri për votimin e Vlora Çitakut si nënkryetare.
“Mbrëmë kemi pasur një mbledhje të vështirë të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën me shumicë votash kemi marrë vendim për t’i votuar kandidatët për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e PDK-së së LDK-së, përkatësisht zonjën Vlora Çitaku dhe zotëri Kujtim Shalen. Shpresojmë që ky konstruktivitet i yni do të reflektojë edhe tek pjesëmarrja në votim dhe vota qoftë edhe kundër për president, në mënyrë që të mos shkojmë në zgjedhje të reja. U bë mirë që u konstituua Kuvendi, nënkryetari i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku, ne menjëherë do ta votojmë”, ka thënë ai.
Kurti madje edhe uroi konstituimin e kuvendit.
“Urime të gjithëve konstituimi i Kuvendit. Pra, përafërsisht 3 muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, u konstituua Kuvendi i Republikës për legjislaturën e 11-të. Ndërkaq, ju e dini që në vitin e kaluar janë dashur 8 muaj nga zgjedhjet që të konstituohet Kuvendi. Nga 8 muaj tash e kishim 3 muaj, natyrisht do të ishte më mirë që të bëhej edhe më herët, por urime të gjithëve se megjithatë është një e arritur e cila tash duhet të vazhdojë me formim qeverie dhe me zgjedhje të presidentit, për çfarë e kemi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, u shpreh ai.


